“Dua të ndryshoj për hir të dy fëmijëve të mi” – shqiptari dënohet me 6 vjet burg për vjedhje në Austri

Një 46-vjeçar shqiptar është dënuar me gjashtë vjet burg në Austri, pasi u shpall fajtor për një seri vjedhjesh me thyerje në landin e Vorarlbergut, transmeton albinfo.ch.

Referuar raportimit të “Kronen Zeitung”, burri kishte hyrë me forcë në nëntë shtëpi gjatë muajve korrik dhe gusht të vitit të kaluar, kryesisht në kohën kur familjet ndodheshin me pushime. Vlera e sendeve dhe parave të vjedhura ishte të paktën 14 mijë euro, ndërsa dëmet e shkaktuara në dyer, dritare dhe prona e çuan dëmin total në rreth 40 mijë euro.

Hetuesit arritën ta lidhin 46-vjeçarin me rastet përmes gjurmëve të ADN-së të gjetura në vendngjarje. Ai ishte shpallur në kërkim me urdhërarrest evropian dhe që nga marsi ndodhej në paraburgim në burgun e Feldkirchut.

Sipas gazetës austriake, shqiptari kishte vuajtur më parë dënime edhe në Suedi dhe Danimarkë për vepra të ngjashme.

Gjatë procesit gjyqësor ai është shfaqur i penduar dhe ka deklaruar se dëshiron të ndryshojë për hir të dy fëmijëve të tij, transmeton tutje albinfo.at.

Prokuroria ka theksuar se viktimat kanë pak gjasa t’i rikuperojnë paratë e humbura.

Sipas raportimit, 46-vjeçari është i varur nga bixhozi dhe ka rreth 12 mijë euro borxhe.

Në fund, gjykata e dënoi me gjashtë vjet burg. Vendimi, megjithatë, nuk është ende i formës së prerë.

Çështjet ligjore të 46-vjeçarit mund të vazhdojnë edhe pas përfundimit të procedurës në Austri.

Sipas “Kronen Zeitung”, edhe autoritetet zvicerane e kërkojnë atë në lidhje me çështje penale dhe tashmë është paraqitur kërkesë për ekstradimin e tij.