“Na e ke borxh neve mërgatës” – biznesmeni nga Gjilani i kërkon debat Kurtit

Biznesmeni i njohur shqiptar nga Gjilani, i cili jeton e punon në Zvicër, i njohur si Besnik Benz, i ka kërkon përballje kryeministrit në detyrë.

Përmes një postimi në Facebook, Besnik Benz ka kërkuar përballje në debat me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.

“I kërkoj publikisht debat Albin Kurtit. Ballë për ballë. Jo me militantë në studio, jo me propagandë në Facebook, por debat të vërtetë për Kosovën që po shkatërrohet çdo ditë. Na e ke borxh neve mërgatës, Albin. Prej vitesh punoj larg familjes e vendit tim, jo nga dëshira”, ka thënë biznesmeni, duke treguar edhe arsyet e largimit nga vendlindja.

“Sikur mijëra të tjerë, mora rrugën e mërgimit për ta mbajtur familjen dhe për ta ndihmuar shtetin tim. Ne mërgimtarët siç thua ti, kur na e kërkon votën kemi mbajtur ekonominë gjallë, kemi qenë zëri i Kosovës në botë. E sot, çfarë po marrim në këmbim? Një Kosovë të përçarë, të zbrazur, të mbushur me urrejtje e arrogancë politike. Sot vëllai nuk flet me vëlla, shoku ndahet me shokun, familjet përçahen për politikë. Kjo është “fryma” që është ndërtuar këto vite”, ka deklaruar Besniku.

Ai ka “akuzuar” Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje për tensionin aktual mes qytetarëve.

“Ju nuk prodhuat shpresë, por tension. Nuk bashkuat njerëzit, i ndatë ata. Ndërkohë të rinjtë po ikin çdo ditë. Kosova po boshatiset. Qytetet po mbesin me pleq, ndërsa rinia po kërkon shpëtim nëpër ambasada për viza pune. Dhe ju vazhdoni të silleni sikur çdo kritik është armik. Prandaj dua debat. Dua t’ju shoh duke iu përgjigjur pyetjeve të atyre që e mbajnë këtë shtet me djersë nga diaspora. SEPSE NE NUK JU KEMI BORXH HESHTJEN. PËRKUNDRAZI, JU I KENI BORXH POPULLIT LLOGARINË”, ka përfunduar shkrimin në Facebook, mërgimtari dhe biznesmeni Besnik Benz.