“Çka s’mund ta mbajë guri, e mban njeriu” – djali i Jakup Krasniqit me mesazh prekës pas dënimit të të atit
Djali i Jakup Krasniqit ka reaguar në rrjetet sociale pasi Gjykata në Hagë dënoi ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës me 25 vite burg.
Në një postim prekës, Altin Krasniqi ka kujtuar një shprehje të të atit dhe ka shprehur dhimbjen e familjes pas vendimit, duke thënë se gjashtë vite pritje nuk e kanë bërë Jakup Krasniqin të ulë kokën.
“Njeriu është më i fortë se guri. Çka s’mund ta mbajë guri, e mban njeriu.” Sa e vërtetë paska qenë kjo fjalë, babë. Jeta ka qenë e padrejtë me ty, por ti prapë qëndrove me kokën lart. Gjashtë vjet pritje, gjashtë vjet dhimbje, e asnjëherë nuk ta pamë kokën të ulur. Pas këtij aktgjykimi, nuk u theve ti. U thye diçka brenda nesh. U thye besimi ynë në drejtësi. Por ne do të vazhdojmë të qëndrojmë. Ashtu siç na ke mësuar ti. Me dhimbje në zemër, por me kokën lart. Me kokën lart, babë. Gjithmonë”, thuhet në postim.

