Çka ndodhi mes zyrtarit policor dhe Aida Dërgutit pas protestës? Flet veterani i UÇK-së
Një incident raportohet të ketë ndodhur mesditën e sotme në kryeqytet, ku e përfshirë raportohet të ketë qenë edhe ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Aida Dërguti.
Sipas raportimeve, mësohet se ish-ushtarja e UÇK-së kishte marrë pjesë në protestën e sotme kundër Gjykatës Speciale në sheshin në Prishtinë, teksa incidenti thuhet se ka ndodhur menjëherë pas përfundimit të saj.
Raportohet se e njëjta është ndalur nga një zyrtar policor i cili, sipas pretendimeve, e ka legjitimuar pasi e njëjta ka qenë duke e kaluar rrugën në një vend ku nuk ka qenë vendkalim për këmbësorë.
Kështu së paku ka thënë një protestues, veteran i UÇK-së.
Ai dëgjohet t’i thotë policit se të veprohet në atë mënyrë me një veterane të luftës “është marre”.
E për incidentin ka reaguar edhe Brigada 60 – Diversanto-Vëzhguese e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, pjesë e së cilës mësohet të ketë qenë edhe protestuesi që u ballafaqua me zyrtarin policor.
Në këtë reagim, që është nënshkruar “në emër të Zëvendës Komandantit të Brigadës 60, Mefail A. Helshani, dhe të bashkëluftëtarëve të Brigadës 60”, thuhet se “përballja ime me të [zyrtarin policor, shën.red.] nuk ka vend të komentohet si e qëllimshme, me motive politike e madje as personale”.
“Unë isha dhe do të jem gjithmonë aty ku kërkohet të jetë zëri im. Unë isha në mbrojtje të të drejtave të ish-deputetes së Republikës së Kosovës, znj. Aida Dërguti. Unë isha dhe do të jem krah e mbështetës i bashkëluftëtarëve të mi dhe mbrojtës i fuqishëm i vendit tim dhe i çlirimtarëve të tij”, thuhet në reagimin e Brigadës 60.
Mediat në ndërkohë kanë raportuar se dy zyrtarë policorë janë suspenduar për 48 orë për këtë rast.
Ky është reagimi i plotë i Brigadës 60:
Të nderuar popullatë e pafajshme e Republikës së Kosovës, familje të dëshmorëve, martirëve, invalidëve e veteranëve të luftës, të nderuar bashkëluftëtarë të Brigadës 60 për paqe, liri e pavarësi.
Liria e vendit u fitua me shumë sfida, e kjo liri nuk e pati kuptimin vetëm të lëvizjes, të largimit të sistemeve të padëshirueshme për ne, por edhe të fjalës dhe të shprehjes së lirë të mendimeve, pakënaqësive dhe qëndrimeve.
Përgjatë protestës së ditës së sotme, me idenë kryesore të shfaqjes së pakënaqësisë me rastin e vendimit të Gjykatës Speciale për krerët e UÇK-së, gjersa po bënim marshin, hasëm në një rast jo të këndshëm me njërin nga policët, për rastin të cilin tashmë edhe ju e keni parë dhe jeni në dijeni. Përballja ime me të nuk ka vend të komentohet si e qëllimshme, me motive politike e madje as personale.
Unë isha dhe do të jem gjithmonë aty ku kërkohet të jetë zëri im. Unë isha në mbrojtje të të drejtave të ish-deputetes së Republikës së Kosovës, znj. Aida Dërguti.
Unë isha dhe do të jem krah e mbështetës i bashkëluftëtarëve të mi dhe mbrojtës i fuqishëm i vendit tim dhe i çlirimtarëve të tij!
Unë jam vetëm një luftëtar që kam luftuar për lirinë e të gjithëve, pa dallim. Unë nuk mund të kem prirje të merrem me ata që fyejnë, shajnë e krijojnë imazhe mbi luftëtarët dhe vlerat e luftës. Unë gjithmonë do të jem në vazhdën e respektit për institucionet e vendit tim.
I çmoj mekanizmat e Republikës, të cilët me gjak, mund e djersë i krijuam TË TONAT – shqipfolëse e shqipvepruese.

