“Siguroni ushqime dhe strehim” – SHBA lëshon alarm sigurie në Lindjen e Mesme

Misionet diplomatike të SHBA-së në Izrael dhe në Lindjen e Mesme kanë lëshuar një alarm të përgjithshëm sigurie për qytetarët amerikanë në rajon, mes rritjes së tensioneve dhe frikës për një përshkallëzim të shpejtë të situatës.

Sipas Ambasadës së SHBA-së në Izrael, Irani dhe grupet e mbështetura prej tij, përfshirë Huthitët, mund të synojnë misionet diplomatike, kompanitë dhe institucionet amerikane në Lindjen e Mesme dhe më gjerë

Qytetarët amerikanë janë paralajmëruar për ndërprerje të mundshme të fluturimeve dhe mbyllje të hapësirës ajrore në rajon, ndërsa u është bërë thirrje të ruajnë vigjilencën, të sigurojnë rezerva ushqimore dhe ujë, si dhe të shkarkojnë aplikacione për marrjen e njoftimeve në kohë reale.

Në këtë situatë, presidenti amerikan Donald Trump është kthyer në Shtëpinë e Bardhë një ditë më herët se sa ishte planifikuar, pasi ishte larguar për në Camp David, Maryland.

Kthimi i tij i parakohshëm vjen pas alarmit të ri të sigurisë të Departamentit amerikan të Shtetit, i cili u bëri thirrje qytetarëve amerikanë në Lindjen e Mesme të “ruajnë vigjilencën maksimale” dhe të përgatiten për ndërprerje të mundshme të udhëtimit.