Berlin, dy kandidatë me prejardhje nga Kosova garojnë në zgjedhje

Dy kandidatë me prejardhje nga Kosova janë pjesë e zgjedhjeve që mbahen sot në Berlin.

Afërdita Suka (Të Gjelbrit), kandidon për Dhomën e Përfaqësuesve të Berlinit (Abgeordnetenhaus) në zonën zgjedhore Tempelhof-Schöneberg 4.

Suka synon të rikthehet në parlamentin e Berlinit përmes mandatit të drejtpërdrejtë në Tempelhof.

Ajo kishte fituar mandatin e drejtpërdrejtë në zgjedhjet e vitit 2021, ndërsa në zgjedhjet e përsëritura të vitit 2023 kishte mbetur 418 vota prapa kandidatit fitues të CDU-së, transmeton albinfo.ch.

Ndërkohë, Klevis Knushi, po ashtu kandidat i të Gjelbërve, garon për Asamblenë e Distriktit të Neuköllnit (Bezirksverordnetenversammlung – BVV).

Dy kandidatët janë pritur para zgjedhjeve nga përfaqësuesi diplomatik i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti.

Ajeti bëri të ditur se gjatë takimit është diskutuar për angazhimin politik të dy kandidatëve dhe pjesëmarrjen e qytetarëve me prejardhje nga Kosova në jetën politike dhe proceset vendimmarrëse në Gjermani.

Ai u bëri gjithashtu thirrje qytetarëve me të drejtë vote që jetojnë në Berlin që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre dhe të marrin pjesë në zgjedhje.

Zgjedhjet në Berlin mbahen më 20 shtator.

Qytetarët do të votojnë për përbërjen e re të Dhomës së Përfaqësuesve të Berlinit, si dhe për asambletë e distrikteve të kryeqytetit gjerman.