Aksion i policisë në Gjilan – sekuestrohen armë, fishekë dhe para të gatshme

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në Gjilan, ndërsa një tjetër vazhdon të jetë në kërkim, nën dyshimin për veprën penale që lidhet me importin, eksportin, furnizimin, transportimin, prodhimin, këmbimin, ndërmjetësimin ose shitjen e paautorizuar të armëve apo mjeteve plasëse.

Sipas raportit policor, rasti ka ndodhur në rrugën “Lidhja e Prizrenit” në Gjilan.

Gjatë kontrollit, policia ka gjetur dhe sekuestruar gjashtë pushkë gjuetie, gjashtë pistoleta, një armë të gjatë, një pushkë ajrore, 836 fishekë të kalibrave të ndryshëm, katër leje armësh, para të gatshme dhe dy telefona mobilë.

Dy të dyshuarit janë arrestuar dhe intervistuar, ndërsa personi i tretë vazhdon të kërkohet nga policia.

Me vendim të prokurorit, dy të arrestuarit pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.