Theret një person në Gjakovë – nuk i përballon plagët

Një person ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra gjatë një përleshjeje që ndodhi në orët e para të mëngjesit të së martës në Gjakovë.

Sipas informacioneve fillestare, incidenti ka ndodhur në rrethana ende të paqarta, ndërsa i ndjeri nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të pësuara.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse të policisë dhe ekipet emergjente, të cilat kanë konstatuar vdekjen e viktimës.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e përleshjes, si dhe për të identifikuar personat e përfshirë në këtë rast. Ende nuk janë bërë të ditura detaje shtesë lidhur me motivin e ngjarjes.

Me udhëzim të Prokurorit për Krime të Rënda, rasti është iniciuar si “Vrasje”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Ndërkaq Sinjali mëson se viktima është Rexhë Brahimaj.

Ai, është paraqitur fillimisht në QKMF me plagë të rënda në gjoks. Sipas stafit mjekësor, viktima kishte ende shenja jete dhe vetëdije, por gjatë transportimit me autoambulancë drejt Spitalit Rajonal “Isa Grezda”, gjendja e tij është përkeqësuar dhe rreth orës 03:10 ka ndërruar jetë.

Nga dëshmitarët e intervistuar, mësohet se ngjarja ka nisur si konflikt verbal, i cili ka eskaluar në përleshje fizike.

Në një moment, i dyshuari dyshohet se ka nxjerrë thikë dhe e ka goditur viktimën në gjoks.

I dyshuari Qazim Sadrija, mbetet në arrati, ndërsa Policia është në kërkim të tij.