Kosova rrezikon të mbetet e varur nga ndihmat sociale

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka kërkuar që zhvillimi ekonomik, mbështetja e sektorit privat dhe prodhimi vendor të jenë prioritetet kryesore të institucioneve të reja të Kosovës, duke paralajmëruar se vendi rrezikon të mbetet i varur nga ndihmat sociale nëse nuk krijon kushte për investime dhe zhvillim të qëndrueshëm, raporton Ekonomia Online.

Gërxhaliu ka thënë se pas formimit të institucioneve të dala nga vota, Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë momentum për të rikthyer besimin e bizneseve, për të tërhequr investime dhe për të krijuar një politikë më të unifikuar në shërbim të zhvillimit ekonomik.

Ai ka theksuar se prioritet duhet të jetë krijimi i kushteve për bizneset vendore dhe investitorët nga diaspora, duke vlerësuar se vendi nuk mund të mbështetet vetëm te ndihmat sociale.

“Në rend të parë duhet të kuptohet që nuk i bëhet nder Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës në qoftë se të gjithë trajtohen si raste sociale. Ka nevojë Kosova për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe ai zhvillim i qëndrueshëm ekonomik të jetë garant i stabilitetit social. Nuk jetohet nga ndihma, jetohet nga zhvillimi dhe në këtë drejtim besoj që është koha kur duhet të kemi prioritet në rend të parë mbështetjen e sektorit privat, në rend të dytë sektorin prodhues, në rend të tretë reforma në arsim, në veçanti në arsimin dual dhe profesional. Mbi të gjitha, të kemi një dialog të mirëfilltë që do ta mbështesë sektorin privat dhe zhvillimin ekonomik, dhe jo Kosova të shndërrohet në një shtet të varur nga ndihma sociale”, shtoi ai.

Sipas Gërxhaliut, një nga sfidat kryesore mbetet rikthimi i besimit për investime në Kosovë dhe shfrytëzimi i potencialit financiar të diasporës.

“Barazia në varfëri është më e keqja që i ndodh një shteti dhe këtë Kosova duhet ta evitojë. Duhet të kthehet besimi i humbur për investime në Kosovë. Ne nuk duhet të presim që do të vijnë vetëm investitorë të huaj, por në radhë të parë ne duhet të krijojmë ambient për bizneset vendore. Ne duhet të kemi pako të veçanta për diasporën, sepse vetëm në hapësirën gjermanofolëse diaspora kosovare ka miliarda të deponuara. Prandaj janë këto mundësi që duhet të shfrytëzohen dhe, mbi të gjitha, të evitohet perceptimi negativ i krijuar në Kosovë dhe ndaj Kosovës në vitet e fundit, sepse vërtet ky negativitet po e ngulfat perspektivën dhe ardhmërinë e Republikës së Kosovës në çdo pore të jetës”, tha ai ndër të tjera./EO