Shërbimet e inteligjencës evropiane paralajmërojnë: Rusët po përgatisin atentate në të gjithë Evropën

Kompanitë evropiane të industrisë së mbrojtjes po shtojnë masat e sigurisë për drejtuesit e tyre të lartë, pasi shërbimet e inteligjencës paralajmërojnë se Rusia po intensifikon përpjekjet për të shënjestruar drejtuesit e kompanive që mbështesin Ukrainën.

Kërcënimi nuk kufizohet vetëm te prodhuesit e mëdhenj të armëve, por përfshin edhe kompani më të vogla që prodhojnë dronë dhe komponentë, duke rritur kostot e sigurisë në të gjithë sektorin.

Sipas Financial Times, zyrtarë nga pesë agjenci evropiane të inteligjencës thonë se operativët e Kremlinit po synojnë gjithnjë e më shumë drejtorët ekzekutivë dhe drejtues të tjerë të kompanive të mbrojtjes, në kuadër të zgjerimit të operacioneve të sabotimit dhe veprimeve të tjera hibride të Rusisë në Evropë.

Zyrtarët evropianë të sigurisë paralajmërojnë se kërcënimi tashmë përfshin si pronat, ashtu edhe personat. Shërbimi gjerman i inteligjencës së brendshme, BfV, ka shtuar kontaktet me punonjësit dhe drejtuesit e kompanive gjermane të mbrojtjes, duke rekomanduar masa që përfshijnë edhe angazhimin e ekipeve private për mbrojtje të afërt, transmeton Telegrafi.