OBSH: Europa në një situatë jo të qëndrueshme, shtohen rastet në vendet e Ballkanit

Situata epidemiologjike mbetet e “brishtë” në mbarë Europën, tha të enjten Organizata Botërore e Shëndetësisë, teksa vijon shtimi i rasteve në Europën Qendrore dhe vendet e Ballkanit.

“Nuk mund të themi që situata paraqitet e qëndrueshme në rajon për momentin”, u shpreh Dr. Catherine Smallwood, anëtare e Programit të Emergjencave tek OBSH gjatë një konference për shtyp.

Rajoni Europian i OBSH, ku bëjnë pjesë edhe disa shtete aziatike, përkon me 40 për qind të rasteve globale, tha Dr. Hans Kluge, drejtori rajonal i OBSH.

Gjeorgjia, Serbia, Luksemburgu dhe Kroacia kanë numrin më të lartë të rasteve për 100 mijë banorë në dy javët e fundit.

Serbia ka regjistruar shifra rekord të rasteve ditore duke arritur në 7 mijë raste të reja në vetëm një ditë.

Së fundmi, dy prej liderëve fetarë të fundit humbën jetën nga coronavirus. Në ceremoninë mortore morën pjesë një numër i lartë qytetarësh, duke sjellë shqetësimin për një përhapje të mundshme të virusit në komunitetet fetare.

Ndërkohë, Kroacia ka regjistruar 139 mijë raste me COVID-19 që prej fillimit të pandemisë ndërsa së fundmi raportohen për një mesatare prej rreth 3 mijë rastesh në ditë.

Kryeministri Andrej Plenković u diagnostikua para pak kohësh me COVID-19, gjithashtu edhe ministri i Shëndetësisë.

Plenković njoftoi për një sërë masash të reja shtrënguese, përfshirë mbylljen e bareve dhe restoranteve, si dhe kufizimin e grumbullimeve. Masat parashikohet të qëndrojnë në fuqi të paktën deri më 21 dhjetor.

“Ka një rrezik dhe problem serioz për përhapjen e virusit gjatë festave të fundvitit teksa njerëzit do përpiqen që të mblidhen”, tha Dr. Smallwood, transmeton EN.

Europa ka shënuar mbi 90 milionë raste me COVID-19 dhe më shumë se 427 mijë viktima.