Kush ishte dr Ukshin Ismajli, anesteziologu që u nda sot nga jeta

Dr Ukshin Ismajli, i cili u nda sot nga jeta, për 40 vjet shërbeu në shëndetësi, nga pozita e mjekut e deri te drejtori i përgjithshëm i Spitalit në Gjilan.

Momentet më të vështira në profesion, ishin helmimi i nxënësve, periudha e luftës si dhe përballja me pandeminë COVID-19.

“Kemi qarë si fëmijët kur shihnim me sytë tanë se si kjo pandemi po na i merrte njerëzit tanë, por edhe gëzoheshim si fëmijët kur betejën me virusin e fituan mijëra qytetarë”, kishte thënë ai në një rast.

Në një bisedë për Mediafokus, anestezilogu Ukshin Ismajli kishte folur për pengesat e mëdha në ushtrimin profesionit të mjekut gjatë periudhës së okupimit, në veçanti për t’iu dalë në ndihmë nxënësve të helmuar në vitin 1990.

Lajmin për këtë ngjarje të tmerrshme e kishte derisa ishte duke hyrë në sallën e operacionit, pasi ishte i vetmi anesteziolog shqiptar në atë kohë.

“Unë kam qenë duke i përgatitur për të hyrë në sallë të operacionit kur na erdhi lajmi për helmimin e nxënësve. Ne kemi qenë 13 mjekë shqiptarë duke punuar në Spital Regjional dhe jemi munduar ta bëjmë më të mirën e mundshme. Nuk e pyesnim askë për t’i dalë në ndihmë nxënësve të helmuar”, ka thënë dr. Uka për portalin Mediafokus.info.

Dr. Uka e kujton një moment kur në një takim, në vitin 1990, është përballur me etiketime të mëdha nga udhëheqja e policisë së asaj kohe, që e kishin marrë në menaxhim institucionin më të madh shëndetësor të regjionit.

“Na thanë ju jeni irredentistë e fashistë dhe na qortonin pse e keni bërë këtë e atë, unë iu përgjigja: jam anesteziolog, unë di të shpëtoj jetë të njerëzve dhe këtë ma ka mundësuar Zoti”, thotë Ismajli.

Në po këtë vit, ai e merr ditarin në dorë, për t’u dhënë mësim nxënësve të vitit të parë të shkollës së mesme të mjekësisë, përkatësisht lëndën e anatomisë dhe fiziologjisë.

“Në klasë, përpos ligjërimit të lëndëve, u kam dalë ndihmë nxënësve që ishin helmuar. Nuk dua ta kujtoj kurrë këtë situatë”, ka thënë Dr. Ukshin Ismajli./Mediafokus.info/