Gjashtë raste të dhunës në familje raportohen brenda 24 orëve
Gjashtë raste të dhunës fizike dhe psikike janë raportuar në vende të ndryshme të Kosovës, sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës.
Rastet janë regjistruar në Fushë Kosovë, Ferizaj, Pejë, Gjakovë dhe Vushtrri, ndërsa në shumicën prej tyre viktima kanë qenë gra.
Në Fushë Kosovë, një grua dyshohet se është sulmuar fizikisht nga një burrë. I dyshuari është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.
Në Ferizaj, një grua ka pranuar tretman mjekësor pas një sulmi të dyshuar fizik. I dyshuari është arrestuar, ndërsa më pas është dërguar në vuajtje të dënimit.
Një rast i dhunës fizike është raportuar edhe në Pejë, ku një burrë dyshohet se ka sulmuar një grua pas një mosmarrëveshjeje. Pas intervistimit, ai është liruar në procedurë të rregullt.
Në rastin tjetër, një grua dyshohet se është keqtrajtuar fizikisht dhe psikikisht nga një burrë. Ajo ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari ndodhet në kërkim policor.
Edhe në Vushtrri është raportuar një rast i sulmit fizik ndaj një gruaje. Viktima, së bashku me fëmijët e saj, është dërguar në strehimore, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt pas intervistimit.
Policia ka bërë të ditur se rastet janë duke u trajtuar në procedura përkatëse hetimore dhe ligjore.

