Hoxhaj: Evropianët janë bërë të padurueshëm me pretendimet se po i ikim drejtësisë
Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka kritikuar qëndrimin e evropianëve ndaj Ligjit për Gjykatën Speciale, duke kundërshtuar pretendimet se Kosova po përpiqet t’i ikë drejtësisë, përcjellë express.
“Evropianët janë bërë të gërditshëm dhe të padurueshëm me insistimin e tyre se ne gjoja po i ikim drejtësisë. Njeri i gjallë nuk është i interesuar t’i ikë drejtësisë. Kosova i ka besuar drejtësisë dhe Perëndimit. Jam i habitur me histerinë e sjelljes evropiane”, ka thënë Hoxhaj.
Ish-ministri i jashtëm ka theksuar se ligji është i nevojshëm edhe për angazhimin diplomatik dhe lobimin në Washington, duke e cilësuar atë si pozicionim politik dhe nacional të Kosovës.
“Neve na duhet një ligj i tillë, sepse ne si politikanë, kur të shkojmë në Washington për të lobuar, nuk mund të flasim për verdiktin e gjykatës, sepse nuk pranohet të flasësh për verdiktin. Por ne flasim për ligjin dhe ashtu mund të lobojmë. Ligji është pozicionim politik dhe nacional i Kosovës”, ka deklaruar Hoxhaj.
Ai ka deklaruar se do të ketë takime me evropianët, por se dëgjimi i qëndrimeve të tyre nuk nënkupton domosdoshmërisht marrjen e tyre në konsideratë.
“Do të kemi takime me evropianët, do t’i dëgjojmë, por nuk do të thotë që do t’i marrim në konsideratë. Evropianët duhet ta dinë një gjë: ne duhet ta mbrojmë lirinë, pavarësinë tonë dhe historinë tonë. Nëse gjykata ka për qëllim të krijojë balanca gjeopolitike rajonale, që në fund të shpërbërjes së Jugosllavisë, pas 30 vjetësh, të gjithë të jemi fajtorë, ne nuk e pranojmë një gjë të tillë. Unë e di që Evropa është djepi i demokracisë. Unë e di që Evropa është djepi i sundimit të ligjit, por, si dikush që është shkolluar në Perëndim, e di që Evropa është edhe djepi i intrigës. E di këtë punë”, ka deklaruar ai, në ATV.

