Koha nuk i ndryshon njerëzit, koha zbulon fytyrën e vërtetë të tyre

Selatin Mehmeti

Shumica prej nesh themi se njerëzit pas luftës kanë ndryshuar shumë.

E vërtetë është se njeriu nuk e ndryshon lehtë karakterin.

Ai mbetet pak a shumë ai që ka qenë, por karakterin e vërtetë e tregon kur vjen puna te interesi.

Qoftë me vëlla, motër, nanë e babë, me miq, me partnerë pune apo edhe me kojshi, mjafton të vijë puna për interes, nganjëherë edhe për disa centimetra megjë, dhe del në shesh fytyra e vërtetë e secilit.

Një njeri i mirë, korrekt dhe me karakter të ndërtuar mirë, mbetet i mirë gjithmonë, si në luftë, ashtu edhe në paqe.

Edhe një njeri lakmiqar, që interesin personal e ka mbi çdo vlerë tjetër, mbetet i tillë.

Para luftës, shumica prej nesh nuk kemi pasë biznese dhe nuk kemi pasë aq shumë konflikte interesi.

Prandaj sot themi se dikur kemi qenë shumë më të mirë.

Por e vërteta mund të jetë pak më ndryshe.

Nuk e kemi pasë mundësinë me e shfaqë karakterin tonë nëpër biznese, tregti, politikë, arsim, sport e në krejt poret e jetës. Interesi kryesor ka qenë mbijetesa e familjes, e jo gara për pasuri e përfitime personale.

Sot, pothuajse gjithçka është interes.

Pare, pare, pare!

Sikur asgjë tjetër nuk ka më rëndësi.

Por këtu duhet ta bëjmë një dallim: nuk është interesi në vetvete që e bën njeriun të keq.

Secili ka të drejtë me punu, me fitu, me përparu e me kriju pasuri.

Problemi fillon atëherë kur për interesin tënd je i gatshëm me e shkelë tjetrin, me e tradhtu mikun, me e dëmtu vëllanë, me ia marrë hakun kojshisë apo me e harru krejt atë që dikur e ke quajtë vlerë.

Ndoshta ne nuk kemi qenë aq më të mirë para luftës sa na pëlqen me besu.

Ndoshta vetëm nuk kemi pasë aq shumë raste me e provu njëri-tjetrin.

Sepse është lehtë me qenë korrekt kur nuk ke çka me humbë, por karakteri i vërtetë shihet kur ke mundësi me përfitu në kurriz të dikujt tjetër dhe prapë zgjedh me qenë i drejtë.

Andaj, nuk besoj se karakteri i njeriut ndryshon aq lehtë. Më shumë ndryshojnë rrethanat, mundësitë dhe interesat që ia nxjerrin në pah atë që e ka pasë brenda vetes.

Çdo njeri, herët a vonë, e tregon fytyrën e vet të vërtetë kur vjen puna te interesi.

Një karakter i fortë mbetet i fortë.

Një karakter lakmiqar mbetet lakmiqar.

Pavarësisht a është luftë apo paqe!