Përcillet në pension infermierja Lirije Hyseni, pas 45 vitesh shërbim me përkushtim dhe humanizëm
Infermierja në QKMF-në e Gjilanit, Lirije Hyseni, pas 45 vitesh shërbim në sistemin shëndetësor, ka përmbyllur karrierën e saj profesionale, të ndërtuar mbi përkushtimin, përgjegjësinë dhe humanizmin.
Për katër dekada e gjysmë, infermierja Lirije Hyseni u shërbeu me dinjitet qytetarëve, duke e ushtruar profesionin e saj me ndërgjegje të lartë profesionale dhe me një ndjenjë të thellë përgjegjësie ndaj pacientëve.
Ajo ishte pranë tyre jo vetëm për të ofruar kujdes shëndetësor, por edhe për t’u dhënë mbështetje, këshilla, fjalë inkurajuese dhe shpresë në momentet më të vështira të jetës së tyre.
Profesioni i infermierisë është ndër profesionet më fisnike, sepse kërkon jo vetëm njohuri dhe aftësi profesionale, por edhe zemërgjerësi e durim, vlera këto që Lirije Hyseni i ka treguar gjatë punës së saj, duke fituar respektin e kolegëve si dhe besimin e pacientëve.
Në emër të Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, drejtoresha Mimoza Kadriu i ka shprehur mirënjohje dhe respekt të sinqertë asaj për kontributin e jashtëzakonshëm në shërbim të qytetarëve.
Puna dhe përkushtimi i saj përbëjnë një trashëgimi të vyer profesionale dhe njerëzore, e cila do të mbetet shembull frymëzimi për brezat e rinj të profesionistëve shëndetësorë, ka thënë ajo.
Kadriu si dhe kolegët e saj i kanë dëshiruar infermieres Lirije Hyseni pensionim të mbarë, shëndet të plotë, lumturi, qetësi shpirtërore dhe shumë vite të bukura pranë familjes dhe njerëzve të saj më të dashur.
“Faleminderit për 45 vite shërbim me përkushtim, humanizëm dhe profesionalizëm. Kontributi juaj do të mbetet gjithmonë pjesë e historisë së shërbimit shëndetësor dhe një shembull i denjë për të gjithë ata që zgjedhin t’i shërbejnë njeriut” – ka qenë mesazhi i tyre urues./Mediafokus

