Analisti sportiv Arben Zeqiri ishte shpallur ‘sportist i vitit’ para 17 vitesh

Drejtoria komunale për kulturë, rini dhe sport e Gjilanit, duke e përvijuar një traditë të deritashme, në vitin 2007, ka shpallur veprimtarët më të mirë sportivë, kulturorë e rinorë.

Kësisoj, sivjet epiteti i sportistit të vitit i takoi futbollistit Arben Zeqiri, ndërkohë që ekipi i tij “Gjilani” u shpall klubi më i mirë sportiv për vitin 2007.

Në dhjetëshen e sportistëve më të mirë u radhiten edhe Venhar Sermaxhaj (futbollist), Fisnik Mehmeti (basketbolist), Gentiana Islami (basketbolliste), Vlora Hasani (volejbolliste) Rasim Shabani (boksier), Liridon Fejzullahu (karateist), Leart Maliqi (karateist), Xhemile Hasani (pingpongiste) dhe Drin Rexhepi (xhudist).

Trajneri më i mirë u shpall Idriz Musliu (Klubi i karatesë Drita), referi më i mirë – Albert Kastrati (futboll), punëtori sportiv – Rexhep Haziri, ndërsa gazetar sportiv – Enver Sadiku (Zëri).

Po ashtu, për kontribut dhënë sportit, me mirënjohje janë nderuar Jakup Bajrami, Mexhid Devaja, Selami Osmani, Shukri Sylejmani, Haqif Huruglica, Ismajl Jonuzi, Afrim Kqiku dhe Veli Kërqeli.

Në lëmin e kulturës, më të mirët u shpallen Diana Toska (këngëtare për fëmijë), Xhemail Rrahimi (valltar), Enkelejda Arifi (këngëtare e muzikës popullore).

Në zhanrin e muzikës klasike, mirënjohje morën shkolla e muzikës, Albina Jakupi (Albina”s Band) si dhe instrumentisti Afrim Leka (çifteli).

Në artin skenik, epiteti i aktorit më të mirë iu dha Jashar Shahiqit, në artin pamor – Arta Jakupit, në artin letrar – Sabit Rrustemit, për veprimtari botuese – Reshat Ramadanit.

Veprimtar më i dalluar kulturor u shpall Bujar Nevzati, institucioni më i mirë kulturor – Arkivi Ndërkomunal, si dhe krijuesi më i dalluar artistik – Isa Jakupi (kompozitor).

Me mirënjohje speciale, në lëminë e kulturës u nderuan Qendra për Trashigimi Kulturore, Nazim Gagica (për veprimtari angazhuese kulturore) dhe Ukshin Zajmi (për afirmim medial të vlerave kulturore)./Mediafokus