Ja sa raste aktive me COVID-19 ka aktualisht Gjilani
Komiteti komunal i Gjilanit për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19, nën udhëheqjen e drejtorit të Shëndetësisë, Selami Xhemaili, ka mbajtur mbledhjen e radhës, të mërkurën.
Në takim u theksua fakti se lajmi i mirë është që numri i rasteve aktive në Gjilan ka rënë në 60, raporton Mediafokus.info.
Gjendja e përgjithshme e Gjilanit sa i përket përballjes me pandeminë COVID-19, është kjo: 1048 raste pozitive në total, 943 të shëruar plotësisht, 45 të vdekur, 11 të hospitalizuar dhe 27 mostra në pritje.
Përndryshe, Gjilani është komuna e parë në nivel të Republikës që më 22 shkurt ka themeluar mekanizmin kundër përhapjes së virusit COVID-19, derisa më 13 mars, kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka marrë vendimin e radhës për formimin e Komitetit të Gjilanit për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19.
Në këto 209 ditë të përballjes me COVID-19, Gjilani ka mbajtur takime ditore për menaxhimin e kësaj situate, përfshirë edhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj personave të infektuar, familjet e tyre, por edhe janë mbështetur familjet me gjendje të rëndë sociale./Mediafokus.info/

