UKZ nënshkruan marrëveshje për programin Erasmus+

Rektori i Universiteti të Gjilanit, Bajram Kosumi, ka nënshkruar marrëveshje me Agjencinë Ekzekutive të Komisionit Evropian, për projektin milionësh të fituar në programin ERASMUS +.

Me këtë rast rektori Kosumi ka thënë se ndihet i lumtur që sot është nënshkruar marrëveshja dhe ka falënderuar prorektorin për Bashkëpunim Ndërkombëtar të UKZ, Dukagjin Leka  për punën e vazhdueshme në ndërkombëtarizimin e universitetit dhe të gjithë partnerët pjesëmarrës në këtë projekt.

Kurse prorektori Leka, ka thënë se ky projekt që është i pari i këtij lloji në Kosovë dhe ka të bëjë me ngritjen e kapaciteteve për projektet ndërkombëtare, ku Universiteti “Kadri Zeka”  ka aplikuar.

Kjo dëshmon edhe njëherë se kapacitetet e UKZ janë të jashtëzakonshme.

Ndërsa Xhevdet Thaqi, prorektor për Mësim, Kërkime Shkencore dhe Çështje të Studentëve, ka uruar të gjithë për projektin QUADIC duke e cilësuar mjaft të rëndësishëm.

Ndryshe Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan, është koordinator i projektit dhe ka gjithsej 18 partnerë vendorë, regjionalë e ndërkombëtar, derisa do të financohet nga Komisioni Evropian në vlerë prej 991.381 euro.

Universiteti “Kadri Zeka” mbetet i përkushtuar në zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe pjesëmarrjes në projekte, duke kontribuar në rritjen e cilësisë dhe zhvillimit të tij të gjithanshëm.