Mustafa nuk dorëzohet: E rikthejmë Podujevën në tetorin e vitit tjetër

LDK-ja nuk e ka pritur mirë humbjen në Podujevë, në njërin nga bastionet e saj prej 20 vitesh, por edhe është ngushëlluar duke thënë se këtë komunë do ta rikthejnë shpejt, në tetor të vitit 2021, kur mbahen zgjedhjet e rregulta për pushtet lokal.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se rezultati është i papritur, por vota e sovranit meriton të respektohet.

Ish-kryeministri i Kosovës theksoi se LDK duhet ta mendoj qasjen e vet, sidomos ndaj kërkesave dhe nevojave të të rinjve.

“Është një rezultat i papritur, por vota e sovranit meriton te respektohet. Në një gjendje krize, qoftë shëndetësore, sociale apo ekonomike, njerëzit janë të prirur ti kërkojnë zgjidhjet përmes ndryshimeve. Kurse, është dëshmuar se ndryshimet shpesh nuk sjellin rezultate”, tha ai për Klanin.

“LDK ka nevojë ta rimendojë qasjen e vet, sidomos ndaj kërkesave dhe nevojave të të rinjve, ka potenciale shumë më të mëdha të kuadrove sesa VV, prandaj mund të ofrojë zgjidhje për ta rikthyer Podujevën qysh në tetorin e vitit të ardhshëm”, shtoi Mustafa.