Kuvendi miraton Projektligjin për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë

Projektligji për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe Dhuratave ka kaluar sot në Kuvendin e Kosovës.

Me 64 vota, deputetët miratuan projektligjin që, siç thotë Ministria e Drejtësisë, “parasheh disa risi që vijnë si përgjigje ndaj nevojave bashkëkohore për të targetuar çështjet e pasurisë së zyrtarëve publikë”.

“Projektligji ndër të tjera mundëson deklarimin e pasurisë online me qëllim që të evitohet çdo gabim potencial, të kontribuojë në ngritje të transparencës dhe do të mundësojë përcjelljen e trendëve të pasurisë së zyrtarëve publikë”, thuhet në një komunikatë të MD-së.

Të dhënat e regjistruara në këtë data-bazë se do të jenë të transferueshme edhe në regjistrat e institucioneve tjera ligj-zbatuese për “qëllime të hetimit penal apo administrativ”, siç thotë Ministria.

MD-ja e ka bërë një rikategorizim të zyrtarëve publikë që do të duhet ta deklarojnë pasurinë që “përfshinë zyrtarët e lartë dhe zyrtarët publikë si dhe kandidatët për gjyqtarë dhe prokurorë”.

Ministria e Drejtësisë thotë se projektligji është punuar në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha institucionet relevante vendore dhe ndërkombëtare, duke përmendur Zyrën e UNDP në Kosove, Zyrën e BE në Kosovë, Ambasadën e SHBA-së, Këshillin e Europës dhe organizatat jo-qeveritare.