MPJ e Gërvallës shkarkon 11 zyrtarë: Kemi gjetur parregullësi

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, e udhëhequr nga Donika Gërvalla, ka njoftuar për shkarkimin e 11 zyrtarëve të shërbimit të jashtëm të kësaj ministrie.

Në njoftimin e MPJ-së bëhet e ditur se zyrtarët në fjalë janë shkarkuar meqë janë gjetur parregullësi në procedurat e emërimit të tyre në ato pozita.

Këtu keni deklaratën e plotë:

“Deklaratë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, pas një analize të detajuar ligjore, sot ka ndërprerë marrëdhëniet e punës së 11 punonjësve të kësaj ministrie.Ky vendim është marrë

në vazhdën e masave për vendosjen e ligjshmërisë në administratën publike të Kosovës dhe anulimit të vendimeve të jashtëligjshme, të marra në të kaluarën.

Personat e liruar sot nga detyra janë punësuar pa iu nënshtruar procedurave të rregullta të pranimit në shërbimin e jashtëm, të përcaktuara me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm të

Republikës së Kosovës dhe as procedurave dhe rregullave të pranimit sipas Ligjit për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, i zbatueshëm në kohën kur këta persona janë

emëruar në shërbimin e jashtëm. Ata kanë hyrë dhe janë konsideruar anëtarë të shërbimit të jashtëm përmes vendimeve arbitrare.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është duke shqyrtuar edhe masat që duhet të ndërmerren ndaj zyrtarëve përgjegjës për punësimin e paligjshëm të personave të

mësipërm. Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e vendosur në zotimin e saj për vendosjen e ligjshmërisë në vend. Keqpërdorimi i parasë publike dhe punësimet e paligjshme nuk kanë vend në administratën publike dhe do të ndalen dhe luftohen me vendosmëri”, thuhet në komunikatën e MPJ-së.

Kujtojmë se Ministria e Jashtme e Kosovës nën udhëheqjen e Donika Gërvallës është në qendër të kritikave qe një kohë të gjatë për performancë të dobët.