Kujtesë letrare: Ramadan Musliu – një emër për mburrje

Shuarja e papritur e Ramadan Musliut (31 maj 1954 – 22 tetor 2020), poetit dhe kritikut të shënuar të letrave tona, për shumëkënd që e ka çmuar letërsinë, po edhe kontributin krijues e intelektual të Tij, ishte dhe mbetet e rëndë, para se gjithash për familjen, po edhe për kulturën dhe letërsinë shqipe.

Nga fundi i viteve të shtatëdhjeta të shekullit të shkuar e deri kah gjysma e tetorit të vitit 2020, Ramadan Musliu s’rreshti si punuari, duke shkruar, vlerësuar, përzgjedhur e zbërthyer një mal problemesh të shoqërisë shqiptare dhe të fçinjëve për rreth, sidomos në aspektin intelektual e krijues.

Nga viti 1978 e këndej ishte i pranishëm në qarqet letrare të Prishtinës, Shkupit e Tiranës, pa e anashkaluar asnjëherë dhe krahinën e tij të Anamoravës ku epiqendër të veprimtarive të veta letrare (një kohë edhe e politike) e kish Vitinë dhe Gjilanin.

Në një stazë të shkurtër kohore punoi në gjimnazin e Vitisë, prej nga u angazhua në gazetën e përditshme të Kosovës – që botohej në Prishtinë, “Rilindja”, ku punoi deri më 2004.

Si njëri nga themeluesit e degës së LDK në Viti, ku ishte edhe kryetar i pare i saj, ai në legjislaturën e dytë të Kuvendit të Kosovës, (2004 – 2007) u zgjodh dhe ushtroi postin e deputetit dhe më pas, për disa vite, atë të këshilltarit politik në Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport.

Nga tetori i vitit 2010 e deri kur ndërroi jetë, mbeti i paangazhuar në ndonjë institucion qeveritar a veprimtari tjetër publike.

Mes viteve 2015 – 2018 ishte anëtar i Bordit të Teatrit Kombëtar në Prishtinë.

Për afro 50 vite ushtroi profesionin e shkrimtarit falë vullnetit të mirë dhe dijës e intelektit të jashtëzakonshëm, duke u marrë me “miqtë e tij memecë” – librat, siç thoshte një shkrimtar tjetër yni, Musa Ramadani, me të cilët ishte i pandashëm deri në grahmat e fundit, sepse ky ishte i vetmi “post“ që nuk varej prej të tjerëve, po vetëm prej Tij.

Në vitin 2017, Komuna e Gjilanit, përmes asociacionit alternative të shkrimtarëve të Kosovës, Ars Clubit “Beqir Musliu” e nderoi me Çmimin prestigjioz letrar, “Beqir Musliu”.

Nga fusha e kritikës letrare, Ramadan Musliut iu botuan këto libra:

“Mbindërtimi poetik”, 1990, Prishtinë
“Konfiguracione narrative”, 1998, Tiranë
“Ekskurs në letërsinë për fëmijë”, 2000, Shkup
“Estetikja e dallueshme”, 2005, Prishtinë
“Tangjenta letrare”, 2012, Prishtinë
“Domeni i literaritetit”, 2018, Prishtinë

Po, edhe këto librave me poezi:

“Parodia e trupit”, 1981, Prishtinë
“Shqisa e gjashtë”, 1985, Prishtinë
Pasqyra e të rrëfyerit”, 1987, Prishtinë
“Kënga e sibilave”, 1996, Tiranë
“Në zemrën e gjërave”, 2004, Prishtinë
“Gjendja neutrale”, 2019, Prishtinë

Gjatë vitit 2020, sidomos gjatë gjendjes së pandemisë (Covid -19), të cilën kohë e kaloi në vendlindjen e tij, në fshatin Beguncë, Ramadan Musliu ishte tejet i angazhuar në përzgjedhjen e disa antologjive poetike, ballkanike e botërore, të cilat meritojnë dhe presin një trajtim të duhur institucional për ta pare dritën, bashkë dhe me shumë shkrime tjera nga fusha e publicistikës, ku Ramadan Musliu, edhe këtu, u shqua me kreativitetin dhe intelektualitetin e tij.

Ramadan Musliu, letërsisë dhe kulturës shqiptare i la vlera të pamohueshme në artin poetik dhe në mendimin kritik letrar.

Kjo vlerë artistike, për të gjallë të tij nuk u vlerësua asnjëherë sa e meritoi.

Mbase, brezat që do të pasojnë, do t’i përmbushin shumë boshllëqe të kësaj kohe e, do t’ia kthejnë një pjesë të borxhit edhe këtij krijuesi të rrallë anamoravas, me emrin e të cilit vetëm mund të mburren. /Sabit Rrustemi/