Miss Serbia nuk e përballon presionin, pendohet për shqiponjën dhe tërhiqet nga gara

Përfaqësuesja e Serbisë në konkursin “Miss Intercontinental”, Valentina Petrovic, së bashku me përfaqësueset e Malit të Zi, Shqipërisë dhe të Kosovës, bënë një foto duke pozuar me simbolin e shqiponjës dykrenare.

Një gjest i tillë ka bërë jehonë në media e në rrjete sociale dhe e gjithë Serbia i është kundërvënë Valentina-s, shkruan “Jaun News Usa”.

Pas zhurmës së madhe, Petrovic zgjodhi të reagojë me anë të një postimi në llogarinë e saj në Instagram, ku shkroi se është penduar që bëri shqiponjën dykrenare me duar dhe dëshiron që të tërhiqet nga gara.

Dua të bëj një njoftim publik për fotografinë që po qarkullon në rrjetet sociale! Në një eufori të vrullshme për festën, më ftuan të bëja foto, qëndrova pranë vajzave, të cilat me shpejtësi më formuan tek duart simbolin e shqiponjës dykrenare. Nuk kisha qëllime të këqija, ishte një moment pakujdesie dhe spontaniteti.

Dua t’u kërkoj falje të gjithë pjesëtarëve të kombit tim, njerëzve nga Kosova e Metohia, shoqërisë sime, familjes sime që janë konfuzë për shkak të fotografisë dhe pamaturisë sime, si dhe rënies në grackën e qëllimeve të këqija të dikujt tjetër. Unë e dua dhe e inkurajoj vendin tim dhe vlerat e tij. Shteti ynë është simboli i vetëm që mbaj në zemër. Unë thjesht nuk po mendoja kur ndodhi ky akt.

Më vjen shumë, shumë keq, ndaj, përveç një faljeje të thellë, mora vendimin t’u kërkoja leje organizatorëve për t’u larguar nga konkursi dhe kështu të lehtësoja presionin aktual që po më bëhet.

Më vjen shumë keq për këtë, por thjesht ndodhi në mënyrë të pamatur. Më duken të vështira të gjitha mesazhet dhe kritikat, por keni të drejtë. Më falni, shpresoj të më kuptoni”, shkroi Valentina në llogarinë e saj në Instagram.