Avokati i Popullit me deklaratë lidhur me procesin e zgjedhjeve
Avokati i Popullit është deklaruar rreth procesit të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, duke komentuar vendimet e fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), shkruan Mediafokus.info.
Ai ka thënë se e drejta për të zgjedhë është një e drejtë e garantuar për secilin person që ka arritur moshën tetëmbëdhjetë vjeç, ndërkohë ka kërkuar nga KQZ të evitojë çfarëdo veprimi i cili do të mund të kufizonte esencën e së drejtës për të zgjedhë të votuesve jashtë Kosovës.
“Avokati i Popullit duke marrë parasysh reagimin e publikut lidhur me vendimin Nr. 42-2021, të datës 11 janar 2021, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për Verifikimin e Aplikacioneve për Regjistrimin për Periudhën e Aplikimit për Regjistrim të Votuesve Jashtë Kosovës, thekson se procesi i verifikimit të aplikacioneve është i domosdoshëm për garantimin e besueshmërisë së procesit zgjedhor. Megjithatë, e drejta për të zgjedhë është një e drejtë e garantuar për secilin person që ka arritur moshën tetëmbëdhjetë vjeç, me përjashtim kur kjo e drejtë i kufizohet me vendim gjyqësor. Përderisa ligji garanton të drejtën për të zgjedhë jashtë vendit, është detyrim i shtetit që procesi zgjedhor të organizohet në mënyrë të mirëfilltë në praktikë ashtu që të mundësohet që zhvillimi i këtij procesi të jetë i drejtë dhe demokratik, duke mundësuar përfshirje sa më të madhe të qytetarëve me të drejtë vote. Prandaj, është e domosdoshme që KQZ të evitojë çfarëdo veprimi i cili do të mund të kufizonte esencën e së drejtës për të zgjedhë të votuesve jashtë Kosovës, të garantuar me kornizën ligjore të vendit.
Avokat i Popullit i bën thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe partive politike që të kenë parasysh situatën e krijuar nga pandemia Covid – 19, dhe gjatë aktiviteteve që ndërlidhen me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që do të mbahen më 14 shkurt 2021, të respektojnë në mënyrë rigoroze rekomandimet e IKSHP-së dhe masat e vendosura nga Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë për parandalimin e pandemisë COVID-19″.

