LVV: Sektori i arsimit në Gjilan është njëri nga devijimet më të mëdha
Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, ka hedhur një sërë kritikash ndaj pushtetit komunal, pasi, sipas tyre, në këtë komunë, sektori i arsimit është njëri nga devijimet më të mëdha.
Ja komunikata e plotë e Qendrës së Vetëvedosjes:
Në këtë konferencë, në të cilën prezantuan materialet e tyre Ardhmërie Jakupi Musliu, njëherit kryesuese e nënkomitetit për Arsim në kuadër të Lëvizjes dhe Fehmi Sylejmani, anëtar i Komiteti për Arsim në kuadër të Komunës, kanë prezantuar një sërë cështjesh, të cilat gjatë vitit që lamë pas, u kthyen në sfidë dhe problem që ndërlidhen me efikasitetin e Drejtorisë së Arsimit.
Jakupi Musliu dhe Sylejmani kanë drejtuar akuzat e tyre drejtorisë së Arsimit, e cila bartë edhe barrën kryesore për mospërparim dhe mosinvestim.
“Arsimi në komunën tonë edhe në vitin që e lamë pas nuk ka shënuar asnjë përparim. Duke filluar nga parashkollorët, margjinalizimi i fëmijëve me nevoja të veçanta dhe fëmijëve me talente specifike, e deri në shkollat e mesme që vetëm sa po bien për nga cilësia. Investimet në arsim në komunën tonë janë shumë të vogla, kjo mungesë e investimit ndikon dukshëm në mungesën e progresit dhe përmirësimit të cilësisë dhe lehtësimit të procesit edukativo-arsimor. Sot, në vitin 2020, kur në botë në fushën e arsimit po përdoret teknologji e avancuar, në Gjilan punojnë vetëm me një shkumës dhe dërrasë të zezë.
Pasojat që vijnë si rezultat i mungesës së investimeve dhe organizimit të dobët në fushën e arsimit do t’i kushtojnë shumë gjeneratës së re të Gjilanit e për këtë neglizhencë sigurisht që një pjesë të mirë të përgjegjësisë i bie udhëheqjes komunale të Gjilanit, e cila përveç defekteve në investime është përgjegjëse direkt për politikën kadrovike, ku në vend të fokusimit në kuadro cilësore angazhon me e pa konkurs, pothuajse përherë kuadro partiake ose familjar të udhëheqësve e militantëve partiak”, ka thënë Jakupi Musliu.
Ndërsa, Fehmi Sylejmani, para mediave ka paraqitur disa pika, që ai i ka nxjerrë duke iu referuar raportit të fundit të drejtorisë së Arsimit, ku mes tjerash ka radhitur një mori defektesh.
“Raporti i prezentuar nga DKA nuk është 1 vjecar, por 11 muajsh. Aty nuk përfshihet raporti i suksesit dhe mungesat e nxënësve dhe as të mësimdhënësve, nuk kemi asnjë të dhënë për efektet e monitorimit. Thuhet se disa shkolla janë pajisur me tabela të mencura, por nuk kemi asnjë të dhënë më shumë lidhur me atë se sa ka kushtuar ky projekt dhe sa tabela janë sjellë gjithsej. Projektit, “ME MË SHUMË MËSIMDHËNËS PËR KLASAT E ( 3, 4 DHE 5) nuk ka ndonjë instrument matës për te, përveç opinioneve të mësimdhënësve, nxënësve dhe prindërve. Duhet këkruar më shumë analizë për këtë projekt.
Testi i Arritshmërisë dhe Testi i Maturës Shtetërore, menaxhimi i tyre me plot parregullsi… Kur flitet për hapjen e dy klasave shtesë në Shkollën e Mjekësisë nuk thuhet kur janë hapur këto klasë, teksa shtimi i paraleleve në mjekësi pamundëson shtimin e nxënësve në shkolën e bujqësisë.
Emërimi koordinatorëve të cilësisë në shkolla, një nga dështimet më të mëdha të arsimit, meqë tashmë dihet se të gjitha emërimet e tyre kanë qenë në vijë politike. Paraqitja tepricave teknologjike të personelit profesional në arsimin para-universitar, ky term nuk përkon me qeniet frymore, prandaj mund të kuptohet edhe si fyese dhe duhet zëvendësuar me ndonjë term adekuat “, ka thënë Sylejmani.
Tutje është folur në mënyrë të detajuar për të gjitha të metat që janë bërë publike nëpërmjet këtij raporti. Edhe më tutje është kërkuar që nga qeverisja lokale të mendohet të gjejnë më shumë modalitete për ofrimin e kushteve më të mira për nxënësit, kur e dimi që akoma nuk kemi kabinete të pajisura me mjetet e nevojshme të punës. Problem serioz nëpër shkolla ka edhe me ndriqimin dhe me ngrohjen, cka po e vështirëson nxënien efektive të lëndëve, për shkak të mungesës së kushteve.
Prandaj, në emër të të gjithë qytetarëve të Gjilanit, nga qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan, i është bërë thirrje institucioneve përgjegjëse komunale, që të merren seriozisht me trajtimin e problemeve që arsimi i ka dhe jo mbulimin sipërfaqësor të tyre, me zgjidhjen e cështjeve personale që ata kanë në mes vete.
Është njëra nga shtyllat kryesore në vendin tonë, prandaj nuk duhet lejuar që të kthehet në njërën nga devijimet më të mëdha të komunës, është thënë për fund në konferencë, përfundon njoftimin partia opozitare në Gjilan./MediaFokus/

