Gjykata ua cakton masën e sigurisë tre zyrtarëve policorë të rastit ‘Karaçeva’

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke ua caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditësh të pandehurve N. S., N. K. dhe F. K.

Ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit, në cilësinë e zyrtarëve policorë, gjatë muajit dhjetor 2019, në zonën e fshatrave të brezit kufitar mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në mënyrë të vazhdueshme, kanë ndihmuar, fshehur dhe nuk kanë penguar kryerjen e veprave penale, ashtu që personave të ndryshëm u kanë mundësuar kontrabandimin e mallrave, të cilët kanë kaluar vijën kufitare duke shmangur kontrollin doganor.

Me këto veprime, të pandehurit dyshohet se kanë kryer veprën penale “kontrabandimi me mallra”, e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, me qëllim të sigurimit të kushteve sa më normale për zhvillimin e procedurës penale, ka caktuar masën e paraburgimit, duke konsideruar se të njëjtit po të gjenden në liri do të asgjësonin apo dëmtonin provat materiale, thuhet në njoftimin e Gjykatës.