Lufta e ‘bluajti’ edhe mullirin e kohës së Skënderbeut

Mullinjtë me ujë tashmë i takojnë në epoke të kaluar. Në ditët e sotme, rrallëkund dëgjohet çakalla e ndonjë mulliri që bën zhurmë duke shtyrë kokrrat e misrit drejt rrotës së gurtë që sillet vërdallë me ndihmën e fuqisë së ujit.

Në të kaluarën, mullinjtë kanë pasur rëndësi të madhe për popullin e trevave të Kosovës, shkruan portali mediafokus.info.

Mullinj ka pasur edhe nëpër qytete, por më shpesh ata kanë ekzistuar në fshatra të largëta.

Mullinjtë, që zakonisht janë ndërtuar pranë lumenjve apo përroskave me prurje të përhershme uji gjatë pjesës më të madhe të vitit, kanë shërbyer edhe si vend për takimin e kaçakëve.

Shpeshherë ka ndodhur që janë shfrytëzuar edhe si oda të burrave, por edhe si vend strehim për kalimtarë dhe për fshatarët të cilët kanë ardhur nga larg të bluar drithin.

Në fshatin Okllap ka ekzistuar deri në vitin 1999, mulliri i epokës së Skënderbeut. Besohet se është ndërtuar në vitin 1426.

Sherif Gashi, mullisi i fundit, thotë se nga paraardhësit ka dëgjuar që ky mulli nuk ka pushuar së bluari që nga koha e Skënderbeut e deri në luftën e fundit në Kosovë (1999).

Mulliri ishte ndërtuar nga Selim Gashi, ndërsa brezi i tashëm e mban mend me emërtimin Mulliri i Qazës.

“Baba më tregonte se në këtë mulli kanë bluar drithë fshatrat Okllap, Sllovi, Vërbicë, Zhegovc, Janjevë dhe disa lokalitete tjera të rrethinës së Lipjanit, Gjilanit e Prishtinës”, thotë Gashi.

Edhe pse më nuk është pronar i mullirit, ai ndjen dhembje që mulliri i bukës për qindra vjet dhe për mijëra banorë të kësaj pjese të Kosovës, tani ka ngelur një grumbull gurësh.

Forcat serbe, gjatë ofensivës së 15 prillit 1999, e dogjën dhe shkatërruan edhe mullirin e Qazës, i cili e kishte përballuar kohën e Turqisë dhe të gjitha pushtetet tjera me radhë, por jo edhe atë të Millosheviqit.

Serbët e granatuan dhe e shkatërruan mullirin, për të lënë popullin e kësaj ane pa bukë dhe për ta zhdukur historinë e mullirit të kohës së Skënderbeut në Kosovë. /Mediafokus/