Ky çift pensionistësh falënderon mjekët e Gjilanit: U kujdesën për ne sikur për prindërit e tyre
Një çift pensionistësh nga Gjilani shprehen mirënjohës ndaj dy punonjësve shëndetësorë të Spitalit të Gjilanit, dr Nisret Hajrullahu dhe infermierit Ramush Rexhi, të cilët u kujdesën për shëndetin e tyre, duke i vizituar e trajtuar në shtëpi, derisa patën nevojë.
Makfire Uzunaliq thotë se ajo dhe bashkëshorti i saj Ilasi kanë kaluar ditë të vështira në përballje me sëmundjen dhe vetëm falë mjekut Hajrullahu e teknikut Rexhi kanë arritur ta rimarrin veten dhe sot janë në gjendje të mirë.
‘Në këto momente të vështira sociale, ekonomike dhe shëndetësore me të cilat po përballet popullata, kur të këqijat po vërehen në çdo kohë dhe situatë, kur pandemia po lë plagë të rënda te të gjitha moshat, mantelbardhët gjilanas, me vetëmohim dhe kujdes të pashoq po kontribuojnë në mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të tyre qytetarëve.
Ata me shumë dashuri e përkushtim po japin çdo gjë nga vetja për shpëtimin e jetës dhe kujdes të veçantë po tregojnë për të moshuarit dhe ata pa përkujdesje familjare.
Në rastin konkret, mua dhe bashkëshortit tim Ilasi na ofruan ndihmën shëndetësore në shtëpi, derisa e morën veten, ekipi shëndetësor – dr Nisret Hajrullahu dhe infermieri Ramush Rexhi, të cilët meritojnë çdo lavdatë e falënderim.
Shembulli i Ramush Rexhit edhe Dr Nisret Hajrullahut janë një dëshmi se Kosova ka kuadro që mund të ofrojnë shërbime të nivelit evropian.
Faleminderoj posaçërisht të riun Ramush Rexhi, i cili u kujdes për ne sikur të na kishte prindër! Makfirja dhe Ilasi’.

