Takim i vështirë i pret Kurtin e Vuçiqin në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me ekip tashmë ka zbarkuar në Bruksel.

Me mëngjes të martën Albin Kurti e ka në agjendë takimin e parë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga evropianët me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Nga Kryeministria njoftuan se takimi i 15 qershorit është për dialogun e ardhshëm dhe se synohet siç thuhet dakordim po rreth kapitullit të ardhshëm të procesit.

Nga ana e tij Vuçiq, para se të nisej për Bruksel tha se atje do të ketë presione.

Këtë e tha në prani të ushtarëve serbë pjesëmarrës në betejën e Koshares, ku Serbia pësoi disfatë përballë UÇK-së.

“Gjitha të mirat, tash unë po nisem për në Bruksel”, theksoi Vuçiq, paradite në Beograd.

Drejtori i Grupit Ballkanik për Politika, Naim Rashiti, thotë se takimi i së martës dhe të tjerët që pasojnë, vërtetë do të jenë të zorshëm.

BE-ja si lehtësuese e dizajnuese e dialogut, sipas Rashitit pranon secilin format të bisedimeve që liderët pajtohen.

Sikur Kurti ashtu dhe Vuçiq konsiderohen politikanë me mbështetje të madhe në vendet përkatëse.

Por një marrëveshje ligjërisht obligative që përmbyll të gjitha çështjet e hapura, po shihet si zor e arritshme sidomos në pikën për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Takimi Kurti-Vuçiq, ndërmjetësohet nga shefi i Diplomacisë Evropiane, Josep Borell dhe përfaqësuesi i special i Unionit për dialogun Miroslav Lajçak.

Bisedimet mbahen në ndërtesën e Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm, dhe zhvillohen me dyer të mbyllura./klankosova/