Gazetari në pension kujton historinë trishtuese të nënës Sofë

Gazetari i njohur i Rilindjes, Rrustem Rugova, tani në pension, ka rikujtuar një histori trishtuese të nënës Sofë, duke postuar edhe një foto me të nga koha e fëmijërisë (viti 1956).

‘Nuk ka nanë shqiptare që nuk e ka një histori trishtuese, dikush më pak, dikush më shumë. Edhe nana Sofë e ka një të tillë!

E lindur me 1908, në Kernice të Klinës, motër e pesë vëllaznive, djem të Smajl Bojaj. E martuar në Kosterc të Skenderaj. Atje pati një djalë, i cili i vdiq. I vdiq edhe burri! U kthye te vëllezërit të cilët përsëri e martuan për djalin e madh të Rrust Sadri Rugoves – Halilin. Emri përkëdhelës i tij ishte Dhoko!

Dhoku me nanën patën tri vajza: dadën Bege (nëna e dëshmorit Xhafer Haskaj), e cila ka vdek prej mërzie, në maj 1999, në Shkodër e varri i saj është në varrezat e vendlindjes në Cerrce, dadën Mirë, e cila është gjallë dhe e fortë, jeton në Pejë dhe Dysha që ka vdek nga tbc-ja në Spitalin e Pejes, 16 vjeçare!

Dhokun e ka ngulfate orteku i gurëve te tuneli i fundit në Grykë të Rugovës, tu shku përpjetë! Kjo ka ndodh më 1943!

Nana rimartohet me Shabanin, djalin tjetër më të vjetër të Rrust Rugovës!

Unë linda më 1946, tri vjet më vonë edhe motra Kumrija. Madhështia e nanës Sofë ishte se nuk donte të na linte pa u shkollue. Baba Shaban nuk kundërshtonte, ndihmonte me mundësi që kishte, po do kushëri ishin kundër shkollimit tonë!

Nana u lëshonte pe. Sidomos ishin kundër shkollimit të Kumrijes! Po me vonë, çikat e veta, rend me rend i shkolluen mirë!

Por unë jam pak ‘hakmarrës’ dhe ua kujtoja çfarë presioni i kishin ba nanës kundër shkollimit të çikave.

Unë u martova në mars 1969, nana Sofë vdiq në gusht të atij viti!’, përfundon rikujtimi i Rugovës

(Foton e ka shkrep Imer Ibish Rugova, martir i Shqiptarise).