Jugosllavia i përzuri shqiptarët për në Turqi me një “viç” mbrapa

Migrimi i ka shoqëruar shqiptarët gjatë gjithë historisë së tyre. Në të shumtën e rasteve, ky proces ka qenë i detyrueshëm, i nxitur ose i dhunshëm.

Miliona shqiptarë sot jetojnë të shpërndarë nëpër shtete të ndryshme të botës, shkruan portali mediafokus.info.

Mbi tetë milionë jetojnë vetëm në Turqi, ku ata janë shpërngulur me dhunë, që nga viti 1912 e këndej.

Secili prej tyre është histori në vete. Shumica  e tyre e kanë ruajtur deri diku gjuhën dhe kulturën, meqë kanë jetuar në zona kompakte, ku mes vete kanë komunikuar në gjuhën amtare.

Shqiptarët në Turqi janë themelues të disa qyteteve. Ata udhëheqin sot atje edhe komuna.

Karakteristikë për shqiptarët në Turqi është se punojnë shumë dhe ndihmohen mes vete. Askush prej tyre nuk është bërë lypës.

Por, si shkuan kaq shumë shqiptarë në Turqi dhe sa prej tyre janë nga regjioni i Gjilanit.

Sipas historianit Fitim Rifati, pushtimi i Kosovës dhe i viseve të tjera shqiptare nga Mbretëria e Serbisë dhe Mbretëria e Malit të Zi, më 1912, ndër të tjera u përcoll edhe me përpjekjet për tkurrjen e popullsisë shqiptare në këto troje.

Si pasojë, nisi procesi i shpërnguljes së shqiptarëve me dhunë, që vazhdoi edhe ndërmjet dy luftërave botërore.

Mohimi i plotë i të drejtave kombëtare, shfrytëzimi, format e ndryshme të asimilimit, marrja me forcë e pjesës më të madhe të tokës, terrori, gjenocidi etj., përgjithësisht ishin veprime të presionit të vazhdueshëm që përdorte Mbretëria e Jugosllavisë ndaj popullsisë shqiptare, në mënyrë që ta shtrëngonte dhe detyronte atë të shpërngulej në Turqi, Shqipëri, Bullgari e gjetiu.

Kështu, shpërngulja e shqiptarëve realizonte aspiratat nacionale dhe politike të qeverisë jugosllave në viset e pushtuara dhe të ripushtuara.

Në bazë të të dhënave jo të plota nga burime të ndryshme, deri në mesin e viteve të 30-ta të shek. XX numri i shqiptarëve të shpërngulur në Turqi sillej ndërmjet 120.000 dhe 150.000 veta.

Kjo valë e shpërnguljeve preku edhe Gjilanin dhe viset përreth.

Sipas një liste që ruhet në fondin arkivor Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, e cila nuk mund të llogaritet e plotë, që kishte siguruar Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Shqipërisë, më 25 tetor 1934, vala e të shpërngulurve nga Gjilani e rrethina për në Turqi kishte ndodhur në muajt qershor dhe korrik, kur edhe kushtet klimatike ishin më të përshtatshme.

Në bazë të kësaj liste, të shpërngulurit nga Gjilani, në mbiemrat e tyre mbanin prapashtesën ”viç”, që tregon për një aspekt të politikës së ashpër shkombëtarizuese të pushtetit jugosllav ndaj shqiptarëve.

Disa prej tyre, kanë rivënë kontaktet me familjarë në Kosovë, më vonë, por ka prej tyre që nuk janë kthyer kurrë më tokën e të parëve./Mediafokus.info