Ismajli: Deri tani kemi vaksinuar 13.910 qytetarë kundër COVID-19
Gjilani ka arritur ta administrojë mjaft mirë deri tani gjendjen pandemike. Nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli, duke marrë parasysh ardhjen e mërgimtarëve në familjet e tyre, ka kërkuar rritjen e kujdesit ndaj virusit.
Ismajli ka thënë se deri tani janë vaksinuar 13 mijë e 910 qytetarë kundër COVID-19, ndërkohë që konfirmoi se procesi po shkon shumë mirë, pasi caktimi i termineve po bëhet online.
Ai ka kërkuar nga personat që janë konfirmuar pozitiv me virusin COVID-19, të qëndrojnë në vetizolim.
“Tani kemi vetëm 28 raste aktive dhe fatbardhësisht janë duke respektuar protokollin e vetizolimit, vetëm dy prej tyre janë në spitalizim, derisa 12 mostra janë në pritje”, ka thënë Ismajli, duke shtuar se Komuna e Gjilanit dhe Qendra Operative Emergjente janë vazhdimisht në monitorim të gjendjes dhe kujdesit për shëndetin publik.
Përndryshe, deri tani, 6340 qytetarë janë shëruar, 147 kanë humbur betejën me Covid-19.

