Gjykata vendosi për dëbimin e kosovarit nga Zvicra edhe pse prokurori nuk kërkoi këtë masë

Gjykata Penale e Bazelit ka marrë vendimin që një kosovar 29-vjeçar të dëbohet nga vendi. Ai kishte shkaktuar një vetaksident të rëndë në Liestal, në shtator të vitit 2018, me ç`rast kishte vënë në rrezik jetën e pasagjeres së tij, shkruan 20minuten.ch.

Mbrojtja tashmë ka njoftuar se do të kundërshtojë vendimin e Gjykatës Penale të Bazelit.

Është interesante se as Prokuroria Publike nuk kishte kërkuar dëbimin e kosovarit të akuzuar. Ajo e ngarkonte atë për rrezikim jete me rastin e aksidentit të rëndë që ai kishte shkaktuar në shtator të vitit 2018. Kjo është një “vepër katalogu”, me të cilën kërkohet dëbimi në vendin e prejardhjes, i personave me shtetësi të huaj, shkruan albinfo.ch.

Por prokuroria, në rastin konkret ka pasur konsideratë për të akuzuarin, duke e përshkruar si “rast të rëndë”. Sipërmarrësi i ri – tregtar makinash – jeton në Zvicër që kur ishte tre vjeç dhe është i integruar mirë, thotë prokuroria.

Ndërkaq, Gjykata Penale e Bazelit kur ka marrë vendimin të hënën, e ka parë ndryshe këtë rrethanë dhe ka urdhëruar dëbimin pesëvjeçar të ksoovarit nga vendi.