Rrotullohet autobusi i linjës Beograd-Stokholm, 19 të lënduar
Një autobus i linjës Beograd-Stokholm është aksidentuar sot në jug të Berlinit, ku 19 persona kanë mbetur të lënduar.
Mediat e huaja, duke iu referuar informatave nga policia, njoftojnë se 9 persona janë në gjendje më të rëndë shëndetësore.
“Policia thotë se 19 persona janë plagosur, nëntë prej tyre rëndë, pasi një autobus në rrugën nga Beogradi në Stokholm u rrëzua të premten në jug të Berlinit. Të lënduarit janë nga Serbia, Suedia, Gjermania dhe Izraeli”, raportojnë mediat, duke cituar policinë e shtetit të Brandenburgut.
Policia tha se autobusi doli nga autostrada pranë Schoenwald, rreth 50 kilometra në jug të kryeqytetit, dhe më pas u përmbys.
Disa nga të lënduarit janë tërhequr nga vendngjarja me helikopter, kanë bërë të ditur nga policia.

