Dhunimet e ligjshme të grave

Daut Dauti

Në vitin 1966 në Itali, në një fshat të Sicilisë, ndodhi një rast i zakonshëm, por që e tronditi opinionin publik. Një 23 vjeçar, i quajtur Filippo Melodia, e kidnapoi një vajzë 17 vjeçare, e cila quhej Franca Viola.

Filippo ia kishte vënë syrin që herët Francas, e cila ishte shumë e bukur. Por, ajo e refuzoi Filippon dhe nuk donte të martohej me të. Por, Filippo mendoi se e kishte gjetur zgjidhjen.

Sipas ligjit, nëse ai e dhunonte Francan, mund të martohej me të. Ky ligj ishte nxjerrë në Francë gjatë shek XIX dhe kishte depërtuar në shumë vende, përfshirë Italinë. Ligji kishte për qëllim që pas dhunimit të vajzave, që ishin të shumta, të mbylleshin problemet.

Vajzat e dhunuara nuk kishin rrugëdalje tjetër pos të martoheshin me dhunuesit e tyre. Përndryshe, mbeteshin me njolla dhe të poshtëruara tërë jetën dhe nuk mund të martoheshin se nuk ishin virgjine, siç e donte puna.

Prandaj, kur ndodhte dhunimi, policia shkonte e pyeste vajzën e dhunuar nëse do të martohej me dhunuesin. Natyrisht, që të gjitha vajzat pranonin dhe dhunuesi nuk dënohej. Në këtë ligj kishte llogaritur Filippo Melodia kur e kidnapoi dhe e dhunoi një javë rresht Franca Violan.

Pse të kundërshtnte Franca? Tek e fundit, Filippo ishte edhe nip i një mafiozi të rrezikshëm të Sicilisë.

Kur policia shkoi ta pyeste Francan, ajo u përgjegj:” JO, unë nuk martohem me dhunuesin tim”. Kjo ishte një befasi e madhe. Ishte femra e parë në Itali, me siguri edhe në Evropë, e cila guxoi t’i thoshte jo martesës së këtillë. Prandaj, e tërë Italia u alarmua dhe mediat e përcollën këtë ngjarje në detaje.

Nga presioni medial, gjykata e dënoi Filippo Melodian me 11 vjet burg. Ky ishte edhe dënimi i parë i kësaj natyre në Itali.

Ky rast krijoi një kundërtim të madh të opinionit ndaj këtij ligji. Por, Italia nuk e hoqi këtë ligj deri më 1981. Madje, në Francë ky ligj ka qenë në fuqi deri më 1994 kur parlamenti i këtij vendi, nën presion të intelektualëve dhe organizatave të të drejtave të njeriut, u detyrua t’a hiqte nga fuqia.

Pra, deri në këtë kohë, në këto vende evropiane dhunimi i grave ka qenë i sanksionuar me ligj, por i lidhur me kushtin e martesës.

Në shek. XIX këtë ligj e kishte marrë nga Franca edhe Perandoria Otomane, me qëllim të modernizimit të sistemit të saj juridik. Prandaj, në disa vende të Lindje së Mesme, siç është Libani, ky ligj është ende në fuqi dhe aty lirisht mund ta dhunoni cilëndo vajzë që dëshironi, por duhet të martoheni me të.