Objekti në ndërtim i shkollës dhe oborri i Dedoviqëve – poligon i lojërave dhe ‘problemeve’ tona në Balec

Hasan Bunjaku

(Dromca autobiografike)

Në fakt, epiqendra e “tubimeve” të fëmijëve dhe të rinjve të Balec-Mahallës, ishte objekti dhe terreni përreth i objektit në ndërtim të shkollës fillore, që më vonë do të quhej “Musa Zajmi”, si dhe ngjitas me të, oborri i familjes së Selim dhe Ramadan Dedës, dy vëllezërve që merreshin me biznesin e mishrave dhe produkteve të tij, e që, tashmë e kishin vendosur të shpërnguleshin për në Turqi, ndonëse akoma nuk e kishin bërë “pazar” me ndokend gjithë atë hapësirë që e kishin e me katër dalje në katër anët (zaten, edhe objekti i shkollës, po ndërtohej në pjesën e oborrit të gjerë e të gjatë të tyre).

Objekti po ndërtohej atëbotë aq ngadalë e me ndërprerje të shpeshta, andaj, ne që nga themelet, që i kishin ngritur tashti me beton e gurë, e më vonë edhe në tërë objektin e ndërtuar dy-katësh, i kishim “poligone” të lojërave dhe “dreqnillëqeve” tona.

Kështu, fillimisht, në atë bazë të themeleve të ngritura goxha ngathtë (të cilët po i ndanin “dhomat” e ardhshme mësimore të bodrumit, e në pjesën e epërme edhe të dy kateve tjera, po luanim “kile” dhe po e ndiqnim njëri-tjetrin nëpër to. Në mesin e “ndarjes së dhomave”, ishte dheu i gropuar për themele, që tashmë kishte “zënë” edhe bari në të…

Një ditë, ashtu duke luajtur e duke i ikur atij “guxharit” që po na ndiqte të na e vënte “kile”, në një shpejtësi të madhe, seç më zë këmba në një vend të keq dhe ashtu me atë shpejti, kërcej në atë dheun midis “dhomave” dhe me atë turr, të kërcej themelin e “dhomës” tjetër, dhe në dheun e saj, (ja që këtu më “ndihmoi” ai ushtrimi me kërvimin e “kalit” në orët e Edukatës fizike) bie me qafë e më shumë me shpinë në atë pjerrinën e atij grumbulli dheu që tashë ishte bërë sërish tokë me bari… E ndjeva një dhimbje të madhe në kurriz, dhe u “ligështova” e sikur po më binte të fikët.

Tërë këtë slemë e kishte vërejtë nëna e Ekrem Veselit – Kolës, që akoma banonin aty afër në një shtëpi fare të vogël dhe (ajo ndjestë pastë) vrapoi me një kënatë me ujë dhe më freskoi fytyrën dhe më ndihmoi të ngritem, bashkë me shokët tjerë dhe, për çudi timen dhe të të pranishëmve, u ngrita dhe po ecja, thuaja normalisht, ndonëse goxha i “llomitur”, dhe disi shkova në shtëpi që nuk e kisha fort larg, e hyra në atë dhomën time, pa iu lajmëruar kujt.

Më dhimbëti trupi nja disa ditë dhe sërish asgjë nuk më gjeti, për çudi, se qysh kisha rënë unë, do “duhej” ta kisha thyer ndonjë pjesë të kolonës kurrizore, ndonjë dorë a këmbë…

Ndryshe, ndërsa në ndonjë skutë ku nuk shihej, më të mëdhenj po e luanin kumarin (bixhozin)m e ne, pos me top, në ato hapësira të oborreve, i shfrytëzonim edhe objektet përcjellëse të familjes së Dedoviqe, siç ishte, bie fjala koshi gjigand i misrit, e që tashmë ishte i zbarzët, dhe këta më të mëdhenjtë, si Mehmedali “Çopa”, me dofarë perdesh, e me do lëvizje duarësh e mjetesh tjera në “hije”, sikur po na “shfaqnin filma të animuar”, me para, ose me gjësende tjera që i kishim.

Dedovitët, zaten, meqë e kishin “sosë” të shpërnguleshin për në Turqi, aq u bënte për çdo gjë të tyren, dhe e kishin lënmë pasurin ashtu “tangall” e as interesoheshin më për asgj, madje edhe shtëpia e madhe dykatëshe, tashë ishte “rjepur” fare nga suvaja, dhe dukeshte se me kohë ishte e ndërtuar me tulla të pjekura (të kuqe). Edhe dy djemtë se Selimit: Sahiti e Danushi, njëri pak më i madh se unë e tjetri pak më i vogël, po loznin me neve.

Në një rast, në oborrin fare afër të shtëpisë së tyre, Një Hajrullah “Lagadangi”, i Dakëve, pikërisht në drejtim të shtëpisë, e kishte bërë njëfarë si biçim “goli” dhe po më thote: “Gjuaj me top e nëse mudesh të ma bësh “gol”, i ke 5 dinarë, e po s’munde, mi jep 5 dinarë!”. Mirë: u pajtuam. E vendosa mirë e mirë topin në atë pjesën e “penalltisë” dhe t’i jep me turr e me një gjuajtje të furishme, topi ta “kapërcen” “Lagadangin” e ta godet një dritare të ndonjë dhome të katit përdhesë: “Xambërr…!” – xhami, copë copë. Aty ishte prezent, pos të tjerëve, edhe Danushi, ndërkaq që doli e jëma, Tariki, dhe po bërtiste: “Kush ma theu xhamin?!”, ndërkaq, që para se ta hapja unë gojën, Danushi, ma mori fjalën: “Unë e theva nënë, pahiri…!” “Ah, ti, a? Hajt se ki me pa kur të vijë baba yt!” – tha dhe hyri brenda.

Përgjithesisht, kanë qenë familje shumë e mirë. Për të pasë para për jetesë, deri sa të “shiteshin për Turqi”, të mëdhenjtë e familjes, po merreshin me bërjen e suxhukut me shumicë, dhe po e shitshin diku në një si dyqan në qytet.

Meqë, qetë që e bartnin qerren tashmë i kishin shitur, ata e mbushnin qerren me suxhuk, dhe nja 5-6 nesh, që ishim paksa më të “fortë”, na “prenotonin” për ta bartë suxhukun deri në qytet; nja dy duke e tërheq, e të tjerët për ta shtyrë qerren, ndërkaq që neve na e lëputshin nga një metër e sa suxhuk dhe na i varrnin për qafe…

Na e lenin që këtë punë ta bënim vetë e ne, rrugës, nëpër ca skuta muresh mbuluar me bari, të hedhnim pjesë goxha të mëdha të “barrës”, dhe kur ktheheshim, nëse nuk i kishin gjetur para nesh ndonjë mace apo qen, ta marrëshim atë suxhuk dhe të shqepeshim me ta, kështuqë, neve disave, në atë kohë, na binte që më shumë të ngopeshim me suxhuk se me bukë të shtëpisë…

Kur u ngrit goxha objekti, aty, luhej nga të mëdhenjtë një bixhoz i madh, dhe meqë dronin shumë nga milicia (policia), veçmas disa emigrantë nga Shqipëria, e që i kishin vendosur në banim tek Kulla e Tomës (më vonë Kulla e Sahit Pribocit), se po t’i zenin, e hanin edhe burgun kushdo që, mua po më paguanin nga 5 “banka” që të hip në pikën më të lartë të objektit që të vëzhgoj dhe nëse shoh se po vinte milicia, unë t’i lajmroja me kohë ata. (Më një rast, me kohë i njoftova, dhe nuk do më besoninit nga një kat në tjetrin kërcenin që të shamngeshin në drejtim të Shtëpisë së Dedoviqëvem e të mos ziheshin.

Ndodhnin aty edhe do “pisllëqe tjera”, për të cilat nuk do flisja më gjatë.

Ndërkaq që “shejtanllëqet” tona nuk pranin: Në tërë qytetin, dimrave vendrëshqitja me saja e mjete tjera ishte pikërisht aty ngjitas me xhaminë e Balecit, që atëbotë ishte një pjerrinë kaq e madhe deri në Dobrushë.

Ne, duke mos u mjaftar që të rrëshqitnim me sajat tonë, sekujt i vajti mendja, që në oborrin e Dedoviqe ndodhej një saj i madh, i drujtë, që e tërhiqnin qetë atëbotë qetë (kijet).

Shkuam e morrëm e tërhoqëm deri tek ajo pika më e lartë e vendrrëshqitjes, dhe të hipëm nja 20 veta në të, dhe t’iu lëshuam asaj teposhtëze, e saji mori asi turri sa nuk kishim se si ta drejtonim më, ndërkohë që pak mbi “Çeshmën e Balecit”, ku gjndej një shkëmbë i madh gjigand, t’u drejtua saji pikërisht e drejt tij, dhe kur ta ka goditë atë shkëmbë, ne që të gjithë “topërllamë”, nga inercioni e shpejtësia, të jemi fërfëllua përtej shkëmbit e në borë.

Fati ynë bora ishte goxha e trashësisë së madhe, dhe për habi, asnjëri s’u lënduam thuaja fare, sepse mbase edhe ishim të “kalitur” që të gjithë!.

Ndërkaq që saji ishte bërë copë e grimë nga ajo goditje direkte, por askush as e bëri më fjalën e atij saji që mbase edhe nuk iu neviojitej më as Dedoviqe…