Plagë gurbeti: Mërgimtarët e përkujtojnë shokun e tyre pas 34 vjetësh

Gurbeti ka qenë dhe mbetet gjithmonë një plagë e rëndë në shpirtin e nënave dhe baballarëve shqiptarë, të cilët kanë pritur e përcjellë fëmijët e tyre në këtë rrugëtim të largët, plot mall e dhembje, shkruan Mediafokus.info.

Mungesa e familjes ka bërë që mërgimtarët të lidhen fort mes vete në dherat e huaj, edhe shpirtërisht. I tillë është edhe rasti i Tahir Ibrahimit, i cili adhurohej aq shumë nga bashkëvendësit e tij, sa njëri prej tyre, Rexhep Hajrizi, e ka rikujtuar ish-mërgimatrin nga Muçibaba e Gjilanit, pas 34 vjetësh.

Ky është shkrimi i Rexhep Hajrizit për ish-mërgimtarin Tahir Ibrahimi: 

‘Në përkujtim të një veprimtari të viteve të hershme, Tahir Ibrahimi, i cili që nga vitet e 70‘ta migroi nga një fshat afër Gjilanit, nga Muqibaba, për në perendim. Arsye e migrimit ishin kushtet e vështira ekonomike për të jetuar në Kosovë.

Tahiri ishte i detyruar të migrojë në perëndim, sepse mbas vetes kishte familjen dhe shumë vëllezër, të cilët ishin më të rinj dhe se dëshira e Tahirit ishte që të jetë krah i familjes, për t`i shkolluar dhe për t`u krijuar kushte për jetesë.

Tahirin e njoha që nga viti 1985, në Sibnen të Zvicrës. Ai ishte një atdhetar dhe njeri shumë i dashur, ishte i gjithanshëm, shoqërohej me të gjithë.

Tahiri pasi që kishte migruar shumë vite më parë, ai kishte arritur të përvetësonte gjuhën gjermane për mrekulli, Fliste rrjedhshëm edhe italishten.

Aso kohe, punëtorët nga Kosova, ishin sezonal dhe se në firmat në Zvicër garancionet ua dërgonin përmes postës dhe ato kontrata pune, apo garancione firmoseshin përmes Konsullatës Zvicrane në Beograd, për të fituar vizë pune.

Asokohe Jugosllavia kishte përfaqësitë e veta konsullare në Zvicër, gjegjësisht në Zurich. Ekzistonte edhe Sindikata për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve në Zvicër. Tahiri, pasi që ishte njohës shumë i mirë i gjuhës gjermane dhe njohës edhe i ligjeve zvicrane, kishte kërkuar nga autoritetet zvicerane që t‘i mbrojë interesat dhe të drejtat e punëtorëve shqiptarë në Zvicër.

Asokohe, një zyrë e sindikatës vepronte në Pffafikon, kantoni Shvic, ku Tahiri ishte emëruar nga organet zvicerane si përkthyes dhe mbështetës i të drejtave të punëtorëve kosovarë.

Tahiri i mbronte për mrekulli të drejtat e tyre, edhe përkundër presioneve që bënin autoritetet jugosllave, që Tahiri t‘i përcillte edhe veprimtaritë e tyre gjatë qëndrimit në Zvicër, ku asokohe Jugosllavia kishte hapur edhe disa klube të quajtura ‘klubet jugosllave’, ku ishin të përfshira të gjitha nacionalitetet që vinin nga Jugosllavia.

Tahiri për asnjë çast nuk u përul para presioneve, por as nuk i përfilli rekomandimet e përfaqësisë konsullare të Jugosllavisë, që të përcillen veprimtaritë e punëtorëve shqiptarë në Zvicër, pasi që asokohe në Kosovë po ndodhnin ngjarje të jashtëzakonshme në cenimin e të drejtave të shqiptarve dhe se në Zvicër organizoheshin protesta dhe demonstrata të shpeshta.

Përkundrazi, Tahiri u dilte në mbrojtje punëtorëve nga parapolitika dhe politika jugosllave.

Tahiri veproi edhe në shumë sfera si aktivist edhe në klubin ‘Liria’ të Sibnenit, ku ishte anëtar i kryesisë dhe ku ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në ngritjen profesionale të punëtorëve dhe në mbrojtjën e të drejtave dhe interesave të tyre.

Tahiri ishte shumë i sinqertë, por edhe i pa trembur kundrejt presioneve nga përfaqësitë jugosllave.

Tahiri vdiq shumë i ri, nga një sulm në zemër, në vitin 1987, duke lënë pas vetes një familje të mrekullueshme dhe atdhetare.

Për Tahirin kam shumë për të shkruar, sepse unë posedoj shumë dokumentacion nga veprimtaritë e klubeve shqiptare, pasi që unë pata fatin ta drejtoj klubin shqiptar ‘Liria’ në Sibnen, për disa vite, por kësaj here, po e lë me kaq përkujtimin për veprimtarin Tahir Ibrahimi nga Muqibaba. /Rexhep Hajrizi – Zvicër/.