Studim: Vaksina Moderna është më efektive sesa Pfizer kundër Covidit të rëndë

Vaksina e Modernës ofron mbrojtje më të mirë afatgjatë kundër efekteve serioze të Covid-19, në krahasim me atë të Pfizer, përfundon një studim i publikuar të prenten nga agjencia kryesore shëndetësore e Shteteve të Bashkuara.

Studiuesit nga Qendrat për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) analizuan një mostër prej gati 3,700 të rriturish të shtruar në spital për Covid-19 të lidhur me simptoma të rënda, midis 11 marsit dhe 15 gushtit 2021, një periudhë që i paraprin dhe përfshin mbizotërimin e variantit Delta.

Gjatë kësaj periudhe, vaksina e Modernës ishte 93% efektive kundër shtrimeve në spital, vaksina Pfizer 88% efektive dhe vaksina Johnson & Johnson ishte 68% efektive.

Veçanërisht e dukshme është humbja e efektivitetit të vaksinës së Pfizer me kalimin e kohës: shkalla e efektivitetit të saj bie nga 91% në periudhën 14 në 120 ditë pas injektimit në 77% në periudhën pas 120 ditësh.

Në krahasim me të njëjtat periudha, shkalla e efektivitetit të vaksinës Moderna është nga 93% në 92%.

Disa studime të kohëve të fundit tregojnë në të njëjtin drejtim, duke konfirmuar epërsinë e dukshme të vaksinës së Moderna mbi atë të Pfizer.