17-vjeçarjes iu vra ëndrra që të bëhej mjeke
Njëra nga viktimat e sulmit ndaj autobusit të nxënësve, mbrëmë në Gllogjan, është edhe e bija e një veterani, e cila dëshironte të bëhej mjeke, por ëndrra e saj u vra.
Vajza e hallës së viktimës, Laureta Kosumi ka thënë se 17-vjeçarja ishte duke u kthyer nga shkolla. Ajo ishte nxënëse e mjekësisë.
“Ka qenë 17-vjeçare shkonte shkollën e mjekësisë dhe ka qenë duke u kthyer nga shkolla. Ka qenë orari i shkollës dhe ky ka qenë orari që u kthy çdo ditë me linjë të autobusit, sikurse e kanë gjithë nxënësit. Familjarët janë të shokuar, dhe është një gjendje shumë e rëndë në familje. Ajo asnjëherë nuk ka folur për ndonjë telash për tek linja e autobusit. Dëshira e saj ka qenë të jetë një doktoreshë në të ardhmen”, tregoi Kosumi për RTK.
Tre persona janë vrarë nga të shtënat me armë zjarri në drejtim të një autobusi në afërsi të fshatit Gllogjan të Komunës së Deçanit, kanë konfirmuar autoritetet e rendit në Kosovë.

