Dënimi me burgim i shndërrohet në gjobë burrit që rrahu një grua në market
I akuzuari Feim Berisha është dënuar me 2 mijë e 400 euro gjobë për shkak se në tetor të këtij viti ka goditur me grushte në kokë të dëmtuarën në një market në Prishtinë
Ky aktgjykim është marrë nga Gjykata Themelore në Prishtinë nga gjykatësi Hanefi Jashari, i cili ka thënë se të akuzuarit i është mundësuar që gjobën prej 2 mijë e 400 euro ta paguajë me gjashtë këste.
Fillimisht, i akuzuari Berisha është dënuar me gjashtë muaj burgim, ku do t’i llogaritet edhe qëndrimi në paraburgim, por me propozimin e avokates Teuta Çaushi, dënimi me burgim i është zëvendësuar me gjobë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Tutje, pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurores Rukije Sheshivari, i akuzuari Berisha tha se e pranoi fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë.
“Pendohem shumë dhe i kërkoj falje nga zemra”, deklaroi Berisha.
Pranimi i fajësisë nuk u kundërshtua nga prokurorja Rukije Sheshivari, e më pas u aprovua nga gjykatësi Jashari.
Ndryshe, në këtë seancë avokatja Teuta Çaushi e ka kundërshtuar aktakuzën, me arsyetimin se në rastin konkret nuk ka ekzistuar motivi, qëllimi dhe as dashja, në kryerjen e kësaj vepre penale që i vihet në barrë të mbrojturit të saj, Berisha.
Tutje, ajo ka thënë se e gjithë ngjarja ka ndodhur me provokimin hapur të dëmtuarës, sipas të njëjtës i akuzuari nuk ka ditur të gjejë zgjidhjen më të mirë, duke u përgjigjur në mënyrë të gabuar, për çka është penduar dhe ndihet fajtor.

