Kisha e çartme, ku ndodhet dhe pse quhet kështu
Izeir Hyda
Emërtimet gjeografike (të maleve, fushave, përrenjve, lumenjve, objekteve fetare) të fshatit Pogragjë janë shumë të vjetra, të cilat edhe në aspektin gjuhësor dëshmojnë për vendbanimet e shqiptarëve në këto treva qysh nga lashtësia.
Nëse ngjitemi në Kodrën e Kalasë së Pogragjës dhe vështrojmë nga pyrgu i saj në drejtim të perëdimit, pamja e parë që të del parasysh është një bregore (më e ulta karshi kodrave të tjera që e rrethojnë) e cila në të kaluarën është quajtur Bregu i Kishës.
Këtë bregore të bukur, nga tri anë, në formë patkoi e mbështjell rrjedha gjarpërore e lumit Morava që ia shton edhe më shumë bukurinë këtij vendi.
Mbi këtë bregore ka qenë e ndërtuar një kishë, ku i kanë kryer ritet fetare besimtarët e krishterë. Dëshmi për ekzistencën e kësaj kishe janë themelet e saj dhe stigjet me gurë që lidhin kishën me rrugën kryesore.
Këto themele të kësaj kishe që vërehen lehtë edhe nga vizitorët e vëmendshëm, mund të jenë një bazë e mirë për studiuesit e historisë dhe arkeologjisë.
Kjo kishë është ndërtuar mbi këtë bregore për disa arsye: ka qasje të lehtë në rrugën kryesore që këputë një qafë mali, pastaj në dy anët rreth saj ka një pasuri, relativisht të mjatueshme për kishën e cila është ujitur nga lumi, e ndoshta edhe për një arsye tjetër se përballë kishës, skaj lumit është një burim i ujit termik që ka shërbyer si banjë e njohur nga vendësit, si Banja e kalasë (Banja mas kalasë).
Kjo banjë është në vijën e ujrave termike të luginës së Moravës (Banja e Kllokotit, Banja e Uglarit, Banja e Dobëçanit, Banja e Bujanocit, Banja e Vranjës…). Këtë banjë, përafërsisht para 20 viteve e ka pas rregulluar për disa vizitorë bashkëvendësi Mejdi Shaqiri, tani ndjerë.
Pra, mbi këtë bregore ka qenë një kishë që është prishur (është çartë) për shkak të ndërrimit të besimeve apo për ndonjë arsye tjetër. Populli e quan Kisha e çarrme (Kisha e çartme).
Kështu pra për shkak të ndërrimeve fonetike dhe të ndikimit të tingujve mbi njëri-tjetrin (rt-rr), çartme – çarrme, tani ky vend quhet Kisha e çarrme – Kisha e çartme).

