Ahengu në dasmat e shqiptarëve myslimanë, katolikë e ortodoksë
Tradita e vjetër e grupeve të ahengut, filluar që në shekullin e 18-të, bazuar në grupin me katër muzikantë përcillej brez pas brezi nga zejtarët muzikantë.
Ernest Koliqi shkruan: “Ahengxhinjtë të vendosur rrotullak merrshin mbarë e mbarë vargjet e kangve të vjetra, qi përtriheshin brezni në brezni prej buzëve të rrudhuna në buzë ma të njoma, tue përsjellun kremtimet e tue zhdavaritun idhnimet”.
Ahengu në dasmat e myslimanëve – “Dasma fillonte dy javë para te djali, ku shtroheshin për natë sofra mbas sofrash, vallet e ahengu vazhdonin deri mbas mesnate.
Kangët e vallet këndoheshin kurdoherë prej burrave e grave e ahengu me ahengçij bahej gjithmonë mbas darke, porsa të ishte kry të ngranunit.
I zoti i shtëpisë kishte për detyrë t’i gostiste ahengçijtë me pije e meze të mjafta e të zgjedhuna, ma vonë u shtrohej buka veçmas.
Ahengu vazhdonte derisa zbardhte drita e kah fundi mbyllej me bejta gazmore. Gratë mund të merrnin pjesë në këtë aheng vetëm si ndëgjuese”.
Ahengu në dasmat e katolikëve – “Në atë shpi që u bante dasma qyshë dy javë përpara fillonte kanga e vallja prej njerëzve të shpisë e prej ilakave ma të afërm tu këndue tanë së bashku në çardak, valle dasmash e kangë të zgjedhuna për këtë rasë.
Vallet e dasmave u këndojshin të ndame në dy grupe: burrat nga njena anë e gratë nga ana tjetër, përballë. Fillonte vallen njeni grup me nji strofë e u përgjegjte grupi tjetër karshi.
Koha ma e bukur e dasmës ishte kur vinte nusja në shpi të dhandrrit ku e pritshin me valle të këndueme për këtë rasë, burra e gra së bashku.
Në dhomën e burrave u bante heng (aheng) me vegla të ndryshme si: violin [qemale], karnetë, saze, dajre e çapare të vogla (dy si pjata të rrumbullakta metalike tunxhi).
Hengu fillonte me kangë të zakonshme. Hengu ma i mirë u bante paradite, pse mbasdite fillojshin bejtat me karakteristikat e tyne tuj provokue njani – tjetrin. Në këtë rasë u thirrshin edhe gratë ndër burra për me ndi heng e bejta. Gjith natën u këndojshin valle dhe u bate heng. Prej dritet, shpërdahej dasma.”
Ahengu në dasmat e ortodoksëve – “Dasma fillonte qysh një javë para ku bahej aheng e vallëzohej. Ndërkohë që dasmorët hanin pilafin e japrakun, si te katolikët, këndohej nga të rinjtë ose gratë kanga e pilafit dhe e japrakut./Enris Qinami/ Foto Marubi (1918)

