Kështu e rikujton bashkëshortin gazetarja e njohur në Skoci, Remzije Zeka Sherifi
Gazetarja shqiptare Remzije Zeka Sherifi e cila jeton në Skoci prej disa vitesh, ka përkujtuar sot bashkëshortin e saj, Sebën, në 4-vjetorin e vdekjes, me një dedikim të ndjeshëm.
‘Ikja yte ka lënë boshllëk të pazavendësueshëm tek më të dashurit e tu, miqtë e farefisi. Do të kujtojmë deri në amshim, me plot respekt, dashuri e krenari. Shpirti yt i bardhë pushoftë i qetë në Parajsë’.
Ajo ka rikujtuar edhe udhëtimin e fundit që kishin bërë së bashku drejt Kosovës dhe planet që po bënin për pleqërinë.
‘Udhtimi i fundit bashkë me Sebën për në Kosovë…Më kot bënim plane e thurnim ëndra që pleqërinë ta kalojmë në tokën ku shpirti na mbeti peng…’
Familja Sherifi jeton në Glasgow të Skocisë, atje ku ka ndërruar jetë Sebahedini, pjesëtar i familjes së njohur nga Gjilani, Mulla Sherifi.
Seba ishte i njohur për elegancë, pedantëri dhe mbi të gjitha si qytetar i civilizuar e zemërgjerë e veçmas si sportist me famë në fushën e hendbollit.
Mungesën e një njeriu të tillë nuk e ndjen vetëm familja, po edhe miqtë dhe shoqëria e tij në Gjilan. /Mediafokus