“Më fal që të lash pa nipa” – studenti që zgjodhi flijimin në vend të amfiteatrit

(Me rastin e datëlindjes së 48-të të Dëshmorit të Kombit Alban Ajeti 1978–1999)

Shkruan: Sabedin Sherifi

Alban Ajeti u lind më 5 shtator 1978 në Gjilan. Ishte gëzimi i parë i bashkëshortëve Sheqir dhe Hazire Ajeti.

Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në Gjilan, ndërsa në vitin shkollor 1996/1997 vazhdoi studimet në Fakultetin e Mjekësisë, Dega e Farmacisë, në Universitetin e Tetovës.

Në pamje ishte i pashëm, elegant dhe shtathedhur. Në karakter ishte i këndshëm, i hareshëm, fjalëpakë dhe i dashur, por njëkohësisht i ashpër ndaj padrejtësisë, hipokrizisë dhe çdo forme të nënshtrimit.

Ndjenja për kombin dhe Atdheun te Albani nuk ishte vetëm bindje, por pjesë e pandashme e personalitetit të tij.

Ai kishte prirje të veçanta në sport, art dhe letërsi. Një dëshmi e fuqishme e botës së tij shpirtërore dhe e ëndrrave të rinisë është krijimtaria e tij poetike.

Poezitë e Albanit u botuan pas luftës nga Fondi për Letërsi, Art e Kulturë “Brezi 81”, në vitin 2002, në librin me titull “Pranvera e Lirisë”.

Në shkrimet e tij ruhet edhe një anë tjetër, tejet njerëzore e personalitetit të tij: dashuria për nënën dhe dhimbja që ndiente për jetën familjare që po linte pas.

Në një prej shkrimeve të tij, me një thjeshtësi që të prek thellë, ai i drejtohet nënës: “Më fal që të lash pa nipa.”

Këto pak fjalë mbartin dhimbjen e një jete të re të ndërprerë para kohe.

Albani e dinte se rruga që kishte zgjedhur mund ta privonte nga shumë prej ëndrrave më të bukura të një të riu: familja, fëmijët, jeta e qetë dhe e ardhmja që sapo kishte filluar të ndërtohej.

Por, përballë fatit të Kosovës, ai vendosi ta vinte ëndrrën e lirisë mbi ëndrrën e tij personale.

Pas përfundimit të maturës dhe fillimit të studimeve në Tetovë, Albani kishte një ëndërr tjetër: të studionte në Akademinë Ushtarake Shqiptare.

Ai e kishte kuptuar se përballë robërisë dhe dhunës, liria kërkonte edhe njerëz të përgatitur profesionalisht për luftën.

Kur kjo ëndërr nuk u realizua, ai u angazhua fuqishëm në veprimtaritë politike dhe kombëtare të kohës.

Aktivitetet e tij studentore i mundësuan kontakte me personalitete të shquara politike e kombëtare.

Ndërkohë, ai e ndiente gjithnjë e më qartë se po afrohej dita kur fjala “liri” do të kërkonte sakrificë.

Filloi të stërvitej në klubin e bodibildingut “Drita” në Gjilan, së bashku me shumë të rinj që më vonë do t’i kishte edhe bashkëluftëtarë në istikamet e luftës.

Gjatë vitit 1998, Albani ishte aktiv edhe në Bashkimin e Subjekteve Politike të Gjilanit, si pjesë e strukturës rinore.

Krahas veprimtarisë politike, ai filloi të shkruante për gazetën “Bashkimi”, organ i Subjekteve Politike të Gjilanit, ku drejtonte rubrikën e sportit.

Por mendja e tij ishte gjithnjë te lufta.

Ai vazhdimisht kërkonte nga eprorët e UÇK-së që t’i lejohej të ngjitej në male dhe të bashkohej me njësitet në bazat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Edhe pse përmes veprimtarisë së tij në qytet tashmë ishte pjesë e luftës, Albani dëshironte të ishte aty ku përballja ishte më e drejtpërdrejtë.

Insistimi i tij i vazhdueshëm bëri që, në fillim të marsit 1999, të dërgohej në bazën e UÇK-së në Zhegoc, së bashku me Tefik Zymberin, dëshmor i kombit, me të cilin kishte bashkëpunuar edhe në gazetën “Bashkimi” dhe në aktivitetet politiko-ushtarake.

Në Zhegoc, Albani mori nofkën “Pëllumbi”.

Për të, kjo ishte më shumë se një nofkë. Ishte sikur të kishte mbërritur në vendin ku e kishte kërkuar prej kohësh veten e tij.

Në Komandën e ZOK-ut në Zhegoc ishte ndër ushtarët më të rinj, por edhe ndër më të përgatiturit.

Në poezitë e tij, në vargjet ku fliste për Atdheun, lirinë, flamurin dhe luftën, shihej qartë shpirti i një të riu që e kishte lidhur fatin e vet me fatin e vendit.

Atdheu, kombi, flamuri, lufta, liria dhe dëshmorët ishin frymëzimi i tij.

Dhe pastaj erdhi 15 prilli 1999.

Në agim, forca të mëdha policore dhe ushtarake serbe, të mbështetura nga makineri dhe arsenal i rëndë ushtarak, mësynë drejt istikameve të UÇK-së.

Për shkak të rëndësisë strategjike, një nga pikat e para të sulmit ishte Zhegoci i Epërm.

Në këtë betejë, Albani, bashkë me bashkëluftëtarët e tij — Sali Mustafën, komandant i Brigadës 171, Fadil Rashitin, Skender Veselin, Raif Musliun, Bekimin e të tjerë — u përball me sulmin armik.

Pëllumbi ishte shndërruar në shqiponjë.

Pas luftimeve të pandërprera për gjysmë dite, forcat e UÇK-së ua pamundësuan hyrjen forcave serbe në fshat dhe u krijuan mundësi që banorët të tërhiqeshin drejt zonave më të sigurta.

Në një përballje të ashpër dhe në distancë të afërt, Albani u plagos për vdekje.

Por edhe në çastet e fundit të jetës së tij, ai vazhdoi të mbronte shokët.

Falë rezistencës së Albanit, bashkëluftëtari i tij Fadil Rashiti arriti të shpëtonte, edhe pse i plagosur.

Pushka e Albanit dhe e Pajazitit, në dy rreze të afërta të Maleve të Zhegocit, vazhdoi të ishte simbol i qëndresës dhe burim morali për luftëtarët e UÇK-së edhe gjatë luftimeve të 16 dhe 17 prillit 1999.

Në ato luftime vargu i dëshmorëve ishte i gjatë, por lufta nuk u ndal deri në çlirimin e Kosovës.

Ata mbetën përgjithmonë pjesë e historisë së kësaj beteje dhe e kujtesës së këtyre trevave.

Albani u varros fillimisht në Zhegoc të Epërm. Më 17 shtator 1999, u rivarros në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Gjilan, me nderime të larta ushtarake dhe nën përcjelljen e dhjetëra mijëra bashkëkombësve.

Albani nuk arriti të ulej në bankat e Akademisë Ushtarake Shqiptare, ashtu siç kishte ëndërruar.

Nuk arriti të krijonte familjen e tij dhe të shihte fëmijët që ndoshta një ditë do t’i kishte.

Por jeta e tij e shkurtër mori një kuptim të madh në kujtesën e kombit.

Ai zgjodhi një tjetër akademi — akademinë e luftës dhe të sakrificës.

Dhe diplomën e saj e shkroi me jetën e vet.

Ëndrrën për t’i shërbyer Atdheut e kurorëzoi me flijim, duke marrë gradën më të lartë që mund t’i japë një komb birit të vet: Dëshmor i Kombit Shqiptar.

Sot, 48 vjet pas lindjes së tij, kujtimi për Alban Ajetin nuk është vetëm kujtim i një djali, studenti, poeti apo luftëtari.

Është kujtim i një brezi që ëndrrat personale i la pezull përballë një ëndrre më të madhe – lirisë./Mediafokus