“Prite punën sa s`u ba, se kur të bahet mos ba za” (popullore)
Blerim SHERIFI
Të mësuarit/ligjëruarit Virtual (ONLINE) në ciklin e ultë dhe të mesëm në Kosovë.
Google classroom, Edmodo, Wikispace, WebQuest, Kahoot etj….. janë vetëm disa nga platformat online të të mësuarit.
Eshtë e vërtetë që metoda e të mësuarit përmes platformës online, është shumë e mirëpritur dhe e duhur, mirëpo para se të fillojë kjo praktikë, unë si një mësues anglishte, kam dyshime nëse do të “dhez” te ne, e sidomos në ciklin e ulët dhe të mesëm e besa edhe në ciklin e lartë, për shumë arsye, e sidomos të mësuarit virtual për nxënësit e shkollave publike.
Fillimisht do t`i kisha pyetur këta që po insistojnë në të mësuarit online, se sa kanë njohuri rreth të mësuarit virtual (online):
-Sa i dimë apo njohim kushtet financiare të nxënësve, por edhe të mësimdhënësve tanë nëpër shtëpitë e tyre, sidomos ata/ato në viset rurale?
-Sa kanë arritur nxënësit tanë nivelin edukativo-disiplinor për të ndjekur mësim online?
-Sa i kemi të përgatitur prindërit për këtë mënyrë të të mësuarit (e që padyshim nevojitet edhe përkrahja e tyre)?
-A ka bërë shteti ynë, apo thënë të gjitha ministritë e arsimit të pasluftës, diçka në këtë drejtim rreth të mësuarit online?
-A i ka trajnuar Ministria jonë e Arsimit mësimdhënësit tanë për të mësuarit online?
-Sa i kemi mësimdhënësit të përgatitur e besa të trajnuar në të mësuarit online dhe se a janë ata të familjarizuar me këto platforma (ka përjashtim këtu) ?
-Si do të organizohet, nga kush do të monitorohet mësimdhënia online?
-A do të ketë raportim nëpër DKA-të në baza ditore/ javore sa i përket pjesëmarrjes në këtë mënyrë të të mësuarit? etj.
-Mësimi virtual a do të përfshij të gjitha fushat e kurrikulës, lëndët dhe njësitë mësimore sidomos ato më kryesoret?
-Mësimi online a do të mund përdoren të gjitha llojet e teknologjisë: Laptop, Smart phone, Pc etj?
-Mësimi online a do të jetë vetëm pjesa ligjërim apo edhe do të ketë interaktivitet, pyetje, ushtrime e detyra?
-Çfarë dihet rreth mungesave të atyre që nuk do të marrin pjesë në këtë formë të të mësuarit, cilat do të jenë masat stimuluese/ndëshkuese?
Dhe krejt në fund, a do të bëhet sa për sy e faqe apo përnjëmend qëllimi do të jetë të moshumbja e interesimit për mësimnxënie/mësimdhënie?
Nuk po flas për shkollat private, sepse ato janë tjetër mesele.
………………………………………
(Autori është MA i Gjuhës angleze)

