Qeveria e Kosovës e paqartë me publikun

Mirishahe Limani Hiler

Për të ndihmuar vetveten dhe shumë të tjerë që më pyesin rreth masave në fuqi në Kosovë, në raport me shtetet perëndimore në kohë pandemie, sot i kërkova ndihmë një miku në Kosovë që njihet për publikun kosovar për aktivitetin e tij profesional në menagjimin e krizës së Covid-19 në Kosovë.

Në mungesë të kohës që të më përgjigjet në detaje, ai më dërgoi një lidhje të Ministrisë së Shëndetësisë me qëllim që të kam burime të sigurta zyrtare. (linkun e gjeni tek komentet).

«Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendim për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 të cilat hyjnë në fuqi nga data 31 maj.»

Fillon komunikimi i masave të reja të Qeverisë lidhur me Covid-19 të datës 28 maj 2021 publikuar në faqen e Ministrisë së Shëndetësisë.

E lexova disa herë tekstin me qëllim që të mos gaboj kur t’iu përgjigjem «lexuesve të mi».

Pyetjeve që po u kërkoja përgjigje, ishin shumë të qarta për ata që tani po përgatiten të kthehen nga shtete të ndryshme evropiane në Kosovë.

Në publikimin zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë për masat në fuqi thuhet: «Qytetari i huaj që hyn në Republikën e Kosovës, përfshirë edhe ata me leje qëndrimi të përkohshëm ose përhershëm në Kosovë, që vijnë nga vendet me risk të lartë sipas listës zyrtare të ECDC-së, duhet­ të kenë test RT-PCR negativ për COVID-19 të bërë në 72 orët e fundit, në bazë të parimit të reciprocitetit.»

Pos gabimeve drejtëshkrimore, përmbajta e këtij paragrafi më bëri të brengosem! Jo pse unë nuk di të lexoj shqip, por pse mua dhe juve na i ofrojnë këto informata në mënyrën kaq të pa qartë.

Duke pasur njohuri modeste rreth masave të ndryshme mbrojtëse nga Covid-19 në Evropë, në këtë komunikim zyrtar, nuk gjeta përgjigjet e duhura.
Gjeta një shkrim që qeveritarët e paskan shkruar për vete e jo për ne publikun.

Po e luaj avokaten e popullit pak: e nderuar Ministri, ne nuk e dimë të gjithë çka është ECDC-ja siç shkruhet më lart (European Centre for Disease Prevention and Control). Edhe po ta dinim, ne nuk e flasim të gjithë gjuhën angleze ndoshta, e as mirë sikur ju.

Ku është ajo listë me emrat e shteteve? A nuk mundeni të radhisni emrat e shteteve që për Kosovën konsiderohen shtete me rrezik të lartë të përhapjes së pandemisë?

Mandej në këtë komunikim zyrtar flitet për disa «pika». Psh. «Përjashtime nga pika 2 bëjnë:» kurse në tekst nuk ka «pikë 2» ashtu siç nuk ka as «pikë 4» që thuhet në 4.3. «Diplomatët e huaj përjashtohen nga fushëveprimi i pikës 4 të këtij vendimi.»

Thjeshtësia dhe modestia janë virtyte që duhet praktikuar edhe kur komunikojmë me tjetrin, sidomos me publikun, aq më tepër nga pozicioni institucional.

Gjithmonë duhet të sigurohemi se a jemi të qartë mjaftueshëm për palën që na dëgjon apo na lexon, përkatësisht për një publik të gjerë, të cilit i adresohet informata.

Këto informata që i keni shkruar «për vete», ju lutem t’i rishikoni, korrigjoni e t’i bëni të kuptueshme edhe për ne.

Duam t’i kuotojmë edhe ne që po bëhemi gati të vijmë në shtëpitë tona.

Nuk na duhen afishet e mëdha me mbishktimin «Mirë se vjen mërgatë»! Neve na duhet qartësi!

Shkruani thjesht, drejt e qartë, shqip që t’ju kuptojmë.

Nëse keni vështirësi e paqartësi, atëherë kërkoni ndihmë nga ata që dinë.