A do ta qet n’binar liberalizimi kërkesën dhe ofertën për punë

Autor: Msc. Skender Berisha

Mënyrë shumë e mirë do të jetë edhe mundësia e përzgjedhjes së punës në rastin kur do të ketë lëvizje të lirë gjithandej Evropës.

Kjo mundësi e gjeneratës së re do të jetë një alternativë që nuk e patën fatin shumë nga gjeneratat e deritanishme.

Së fundmi kemi protestën e infermierëve të rreth 1200 prej tyre, e që ishin të angazhuar gjatë periudhës së pandemisë, ndërsa tani janë në mëshirë të fatit.

Në një anë, nevoja për ta është e madhe, në anën tjetër politika në kontinuitet nuk po realizon politika të ruajtjes së kësaj pasurie të vendit, e që asnjëherë nuk po arrijmë t’i vlerësojmë sa duhet.

Edhe shumë të tjerë të rinj, të profesioneve nga më të ndryshmet, me hapjen e kufijve do të nisin karrierën në vendet e BE-së.

Zëra të ndryshëm se kinse në BE nuk lejohen të punësohen, lëvizjet janë të limituara e të tjera si këto, natyrisht se janë vetëm farsë.

Vendet e Bashkimit Evropian vazhdimisht janë në kërkim të fuqisë punëtore, sidomos atyre të krahut dhe asaj profesionale.

Kosova me kapacitetet e fuqisë punëtore që ka, dhe që i ofron vendeve perëndimore, janë shumë pak krahas nevojave të mëdha që kanë.

Prandaj, problemet në rritje e sipër të bizneseve vendore, e që lidhet direkt me kërkesën për fuqi punëtore, vërehet një vëmendje e veçantë e tyre që të rrisin kushtet në të mirë të të punësuarve, duke bërë oferta nga më të ndryshmet, vetëm se për t’i joshur të papunët.

Problemet që do t’a ndjekin vendin dhe biznesin në përgjithësi do të jenë evidente, ndërsa interpretimet se kinse me heqjen e ndalesës së lëvizjes së lirë nuk do të lejohen të angazhohen në vendet e BE-së nuk qëndrojnë.

Edhe tani, akoma pa hequr ndalesën kërkesat për fuqi punëtore nga vendet e BE-së për çdo ditë është në rritje, dhe me hapjen e kufijve të papunët dhe një pjesë e të punësuarve do t’a gjejnë veten në shumë vende ku mirëqenia dhe pagesat janë më të larta, dhe kërkesa dhe oferta për fuqi punëtore nuk do të dalë në binarë edhe pas mundësisë së lëvizjes së lirë në vendet e BE-së.