A do të ketë shtyrje të zgjedhjeve në Podujevë, flet Valdete Daka

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Valdete Daka, ka mohuar se do të ketë shtyrje të zgjedhjeve për kryetar të Podujevës.

Por, ajo potencon se nëse do të ketë një kërkesë të tillë nga institucionet shëndetësore, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës e Ministria e Shëndetësisë, do t’i drejtohen presidentit që të vendosë për këto zgjedhje.

“Nuk e besoj (se do të ketë shtyrje) sepse praktikisht e kemi të njëjtën situatë edhe në qoftë se i shtyjmë gjithsesi do të përballemi me COVID deri në momentin kur në të gjithë botën të menaxhohet në një mënyrë tjetër, nuk besoj që do të kemi shtyrje të zgjedhjeve, sepse gjithandej nëpër botë janë duke u mbajtur zgjedhjet shohim edhe në SHBA zgjedhjet janë duke u mbajtur. Në fund të fundit ajo është vendim i cili nuk varet vetëm nga ne. Në qoftë se kemi një kërkesë të tillë, natyrisht që ne do t’i drejtohemi presidentit si personi i vetëm i cili ka diskrecion që të vendosë lidhur me shtyrjen e këtyre zgjedhjeve”, thotë ajo për Kosovapress.