A do të lejohet mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë? Flet Albulena Haxhiu
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha sot se nuk ka ndryshuar asgjë në lidhje me mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë. Për Qeverinë, s’ka mundësi që ato të organizohen këtu, siç kishte ndodhur gjatë viteve të kaluara, sidomos pasi e refuzuan zhvillimin e referendumit të Serbisë në janar.
Të gjithë jemi në dijeni që Serbia i ka pretendimet e saja për t’i mbajtur zgjedhjet e saj në Kosovë, jo sepse kërkon që një e drejtë e qytetarëve të tyre të adresohet, mirëpo sepse ajo ka pretendime territoriale ndaj Republikës së Kosovës”, tha Haxhiu.
“Konsiderojmë që është jashtëzakonisht e rëndësishme që të respektohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës, por edhe legjislacioni në fuqi. Edhe rezoluta e Kuvendit, mirëpo edhe qëndrimet e Qeverisë janë në linjë të njëjtë. Po ashtu këtë qëndrim e ka edhe presidentja e vendit. Qytetarët të cilët kanë dy shtetësi, natyrisht që ne duhet t’u ofrojmë zgjidhje, mirëpo atë zgjidhje e kemi dhënë që (të votojnë) në zyrën ndërlidhëse këtu apo me postë. Këto janë propozimet që i kemi thënë edhe publikisht. Nuk ka diçka tjetër në këtë drejtim”, ka thënë ministrja në konferencë për shtyp pas mbledhjes së Qeverisë.
Gjatë qëndrimit në Kosovë në fillim të shkurtit, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kanë bërë thirrje që të mundësohet ushtrimi i së drejtës së votës nga serbët në Kosovë.
“Duhet të gjenden modalitete. U përket të dyja palëve, ndërsa BE-ja dhe SHBA-ja do të ndihmojnë”, pati thënë Lajçak.
Ambasadori i Shteteve të Bashkura të Amerikës në OSBE, Michael Carpenter, ka thënë se Kosova gëzon të drejtën e saj si shtet i pavarur, që “të përcaktojë kushtet me të cilat do të zhvillohen zgjedhjet e shteteve të tjera sovrane në territorin e saj”.
Deklarimet e ambasadorit amerikan në OSBE erdhën pak ditë pasi Serbia organizoi një referendum, të cilin institucionet kosovare nuk lejuan të mbahej në Kosovë./express/

